Amerikanët barazojnë me Anglinë, gjithçka e hapur në Grupin B

Nëse në raundin e parë të Botërorit në Katar, anglezët ishin bindës në fitoren 6:2 ndaj Iranit, dueli me ish-koloninë e tyre, SHBA-në shkoi shumë ndryshe dhe amerikanët mund të pendohen që ndeshja përfundoi baras 0:0. Ky rezultat bën që skuadrat që do të kalojnë tutje nga ky grup të përcaktohen në xhiron e fundit.
Rastin e parë të madh anglezët e patën në minutën e nëntë të ndeshjes, kur tentativa e Harry Kane u bllokua dhe amerikanët u kundërpërgjigjen me një rast të Weston McKenney në minutën e 26-të. Në minutën e 32-të ata patën rastin më të mirë të ndeshjes, kur Christian Pulisic goditi traversën me një goditje të fuqishme. Anglia kishte më shumë lojë dhe zotërim në pjesën e dytë, por rruga drejt portës së amerikanëve mbeti e bllokuar. Kane ishte sërish më i rrezikshmi dhe në kohën shtesë pas një ndërprerje gjuajti me kokë, por nuk ishte preciz.
Anglia mbetet në vendin e parë në tabelë me më shumë shanse për t’u kualifikuar, me 4 pikë, Irani ka 3, amerikanët 2 pikë dhe Uellsi është i fundit me një pikë. Në xhiron e fundit SHBA luan me Iranin, ndërsa në një betejë ishullore Anglia do të “përplaset” me Uellsin.