Allegri heq presionin para Bolognas: Lojtarët janë autorë të fitoreve, unë i humbjeve
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, tha se përgjegjësia e tij është të marrë kritikat kur skuadra humb, ndërsa fitoret ia atribuon lojtarëve, teksa foli të shtunën përpara ndeshjes në shtëpi kundër Bologna-s.
“Jam i kënaqur me merkaton, por tani më interesojnë tri pikët ndaj Bologna. Duhet të fitojmë në shtëpi, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Duhet ekuilibër dhe qetësi në momentet e vështira”, tha Allegri.
Sulmuesi Rafael Leao do të mungojë për shkak të një problemi muskulor dhe pritet të rikthehet ndaj Napolit. Ndërkohë, mesfushori Adrien Rabiot është gati të kontribuojë. Allegri përmendi gjithashtu rëndësinë e lojtarëve si Christopher Nkunku, Christian Pulisic dhe Koni De Winter.
“Lojtarët që luajnë më pak, shpesh janë më të rëndësishëm, sepse sjellin pikë”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e zëvendësimeve.
Tekniku italian tha se skuadra duhet të ruajë identitetin e saj në të dyja fazat e lojës. “Kur kemi topin, duhet të shënojmë; kur nuk e kemi, duhet të mbrohemi. Lojtarët janë autorët e fitoreve, unë i humbjeve”, tha Allegri.
Milani kërkon vazhdimësi pas një starti të fortë të sezonit në Serie A.
