Ademi uron Armand Dukën për rizgjedhjen në krye të FSHF-së
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të FSHF-së, pas zhvillimit të Asamblesë Zgjedhore në Tiranë.
Në mesazhin e tij, Ademi ka theksuar se rizgjedhja e Dukës është dëshmi e mbështetjes së gjerë të komunitetit të futbollit shqiptar dhe një vlerësim i qartë për punën shumëvjeçare, vazhdimësinë e sukseseve dhe projektet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit në Shqipëri.
Ai ka vlerësuar gjithashtu rolin e Dukës në strukturat e UEFA-s, ku mban pozitën e zëvendëspresidentit, duke e cilësuar këtë si tregues të respektit dhe reputacionit që futbolli shqiptar tashmë gëzon në arenën evropiane.
“Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, rikonfirmoj përkushtimin tonë për bashkëpunim të ngushtë dhe vëllazëror, me synimin e përbashkët për ta çuar futbollin në nivel edhe më të lartë”, ka theksuar Ademi.
Në fund, presidenti i FFK-së ka shprehur besimin se rrugëtimi i përbashkët i dy federatave do të sjellë suksese të reja, duke shpresuar që ekipet kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë ta realizojnë ëndrrën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026, ndërsa i ka uruar Dukës dhe Komitetit të ri Ekzekutiv të FSHF-së shumë suksese në mandatin e ri.
