Ademi: Kam pritur më shumë sivjet nga klubet tona në Evropë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka komentuar paraqitjet e klubeve kosovare në garat evropiane, duke pranuar se kishte pritur më shumë nga ekipet vendore.
Ademi tha se, përkundër eliminimeve, synimi duhet të jetë që klubet kosovare të avancojnë sa më shumë në garat evropiane.
“Në fakt unë kam pritur më shumë prej ekipeve kosovare, të paktën me kalu edhe një fazë a dy”, deklaroi Ademi në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova.
Ai u ndal te Ballkani, për të cilin tha se ishte skuadra që e zhgënjeu më së shumti, duke marrë parasysh eksperiencën që klubi nga Suhareka ka në arenën ndërkombëtare.
“Pak më ka zhgënjyer Ballkani, sepse nuk është ekip i dobët. Ballkani e ka eksperiencën ndërkombëtare. Ekipet të cilat e kanë eliminuar Ballkanin nuk janë as për së afërmi të barabarta me Ballkanin. Mendoj që më shumë nuk e ka pasur ditën”, tha ai.
Sa i përket Dritës, Ademi theksoi se skuadra gjilanase kishte mundur të paraqitej më mirë në ndeshjet e para, por shpreson që ajo të vazhdojë rrugëtimin në Evropë.
“Sa i përket Dritës, ajo është në garë ende, por edhe Drita ka mundur me u paraqit më mirë në fillim. Nëse e shohim në të gjitha statistikat dhe gjithçka tjetër, edhe nëse e shohim një nga një, ekipi Drita është shumë ekip më i mirë se ekipi i cili e ka eliminuar nga Liga e Kampionëve”, tha ai.
