Ademi: Bashkë me Čeferinin ndajmë të njëjtin vizion për zhvillimin e futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar lart mikpritjen dhe bashkëpunimin me presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, me të cilin u takua gjatë finales së Kampionatit Evropian për femra, Angli-Spanjë, të mbajtur në Bazel.
Ademi ka theksuar se në çdo event apo mbledhje ku është bashkë me kreun e qeverisë evropiane të futbollit, ndajnë të njëjtin mendim.
“Kënaqësi gjithmonë të jem bashkë me presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin. Në çdo event, mbledhje e takim bashkë për futbollin, në të njëjtin mendim e vizion për zhvillim dhe përparim të vazhdueshëm”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Presidenti i FFK-së ka veçuar rolin e rëndësishëm të UEFA-s në përkrahjen që po i jep Kosovës dhe federatave në zhvillim, duke e quajtur këtë mbështetje “thelbësore në rrugëtimin për ngritje dhe konsolidim të mëtejmë të futbollit”.
Ai po ashtu ka lavdëruar organizimin e finales së Evropianit të vajzave, duke e cilësuar si një ngjarje të nivelit më të lartë, që dëshmon përkushtimin dhe profesionalizmin e UEFA-s.
“Organizimi i finales së Evropianit të vajzave ishte i mrekullueshëm, një shembull i qartë i përkushtimit dhe profesionalizmit që e ngrit futbollin evropian në nivele gjithnjë e më të larta”, shtoi Ademi.
Në fund, presidenti i FFK-së falënderoi Aleksander Čeferinin për mikpritjen, mbështetjen dhe vizionin e përbashkët.
