“Gjithçka është e mundur”; Princi saudit i bashkohet “ankandit” mbi të ardhmen e Ronaldos

Princi saudit Abdulaziz bin Turki Al-Faisal thotë se “çdo gjë është e mundur” kur bëhet fjalë për Cristiano Ronaldon, me një lëvizje të 37-vjeçarit drejt Lindjes së Mesme. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ishte shumë i lidhur me Al-Hilal gjatë verës, me një ofertë fitimprurëse që po i bëhet sërish pas largimit nga Manchester United.

Superylli portugez tani ka ndërprerë lidhjet me “peshat e rënda” të Premier League, ndaj spekulimet janë ndezur sërish në lidhje me lëvizjen e tij të radhës. Ministri i Sportit i Arabisë Saudite i ka thënë “BBC Sport” se klubet nga ai rajon mund të eksplorojnë opsionin e nënshkrimit të Ronaldos:

“Gjithçka është e mundur, do të doja ta shihja Ronaldon të luante në ligën saudite. Do të përfitonte liga, ekosistemi sportiv në Arabinë Saudite. Një lëvizje e tillë do të frymëzonte të rinjtë për të ardhmen. Ai është një model për shumë fëmijë dhe ka një bazë të madhe fansash”.

Ronaldo e ka komentuar me mospërfillje qasjen e mëparshme nga Lindja e Mesme: “Është e vështirë, është e vështirë. Mendoj se jam shumë i lumtur këtu në Angli, jam ende në gjendje të shënoj gola. Unë ende besoj se mund të shënoj shumë, shumë gola dhe të ndihmoj skuadrën. Ende besoj se jam i mirë dhe i aftë për të ndihmuar ekipin kombëtar, madje edhe Manchester United”.

Ronaldo u lirua nga “Djajtë e Kuq” pasi i kritikoi ata në një intervistë shpërthyese me Piers Morgan dhe tani po lidhet me Chelsea, Arsenal, Newcastle e klube nga MLS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *