Skuadra londineze, Chelsea po shqyrton mundësinë e rikthimit të një prej ish-liderëve të repartit defensiv, i cili aktualisht aktivizohet në Spanjë.
Sipas Football Insider, anglezët mund të tentojnë transferimin e tij që në afatin kalimtar të janarit, madje me një kosto relativisht të ulët.
Bëhet fjalë për mbrojtësin gjerman 33-vjeçar, Antonio Rudiger, i cili nuk po kalon një periudhë të mirë te gjiganti madrilen. Ai nuk ka luajtur asnjë minutë në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit spanjoll, ndërsa kontrata e tij përfundon në verën e vitit 2027.
Mundësinë e këtij transferimi e ka përmendur Brian King, ish-skaut i disa klubeve angleze, i cili beson se rikthimi në Londër do të ishte një zgjidhje e mirë për të dyja palët.
Mbrojtësi gjerman ishte pjesë e skuadrës londineze nga viti 2017 deri më 2022 dhe luajti rol të rëndësishëm në triumfin në Ligën e Kampionëve më 2021. Pas largimit si lojtar i lirë, ai iu bashkua gjigantit spanjoll, me të cilin ka regjistruar 189 paraqitje dhe ka fituar disa trofe madhorë.
Përvoja e tij në Premierligë dhe njohja e ambientit të mëparshëm mund ta bëjnë atë një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv.
Për momentin, rikthimi mbetet vetëm një mundësi e raportuar nga mediat angleze, por janari mund të sjellë zhvillime interesante.