Florian Wirtz po kalon periudhën më të mirë që nga transferimi te Liverpooli. Ylli gjerman ka rigjetur formën, po kontribuon me gola dhe asistime, ndërsa meritën për këtë përmirësim ia atribuon edhe trajnerit Andoni Iraola.
Pas një fillimi jo të lehtë në aventurën e tij te Liverpooli, Florian Wirtz duket se më në fund ka gjetur ritmin e duhur.
Mesfushori ofensiv, i cili iu bashkua klubit anglez nga Bayer Leverkuseni për një shumë prej 116 milionë paundësh, është përballur me pritshmëri të mëdha që nga dita e parë. Megjithatë, paraqitjet e tij nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin e pritur.
Tashmë situata duket krejt ndryshe. Wirtz ka shënuar pesë gola dhe ka regjistruar dy asistime në katër paraqitjet e fundit, për klubin dhe kombëtaren gjermane, duke dëshmuar se po i afrohet nivelit që e kishte bërë një prej futbollistëve më të kërkuar në Evropë.
Vetë 26-vjeçari nuk e fsheh kënaqësinë për formën aktuale.
Në ndeshjet e fundit kam kontribuar në shumë gola dhe mund të them se jam në formën më të mirë që kur kam ardhur këtu. Nuk mendoj se kam ndryshuar shumë, por jam përmirësuar fizikisht dhe tashmë e njoh më mirë futbollin anglez, ka deklaruar Wirtz.
Ai theksoi se po e shijon futbollin dhe ndihet shumë më i sigurt në fushë.
Iraola, njeriu që po e ndihmon të rilindë
Një rol të rëndësishëm në përmirësimin e tij, sipas Wirtzit, ka edhe trajneri Andoni Iraola, të cilit gjermani ia atribuoi një pjesë të meritës për rikthimin në formën më të mirë.
Ai po më kthen në gjendjen ku ndoshta isha dy vite më parë, kur luaja futboll vërtet të mirë, u shpreh mesfushori.
Pas një periudhe me shumë pikëpyetje, Wirtz tashmë po jep sinjale se mund të bëhet një prej figurave kryesore të Liverpoolit.
Me pesë gola dhe dy asistime në katër ndeshjet e fundit, gjermani po fillon t’i përgjigjet pritshmërive që shoqëruan transferimin e tij të bujshëm.