Liverpooli ka nisur negociatat për vazhdimin e kontratës me portierin Alisson Becker, me synimin që të mos e humbasë brazilianin si lojtar të lirë në fund të sezonit.
Sipas gazetarit italian Nicolo Schira, drejtuesit e klubit anglez kanë hapur tashmë bisedimet me përfaqësuesit e portierit 34-vjeçar, kontrata aktuale e të cilit skadon në fund të këtij sezoni.
Alisson dëshiron të qëndrojë në “Anfield” dhe, sipas raportimeve, kërkon një marrëveshje të re deri në vitin 2029. Edhe vetë portieri ka konfirmuar së fundmi se agjenti i tij është në bisedime me klubin, duke theksuar se ai dhe familja e tij ndihen të lumtur në Liverpool.
Megjithatë, palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket kohëzgjatjes së kontratës dhe kushteve financiare.
Interesi për brazilianin mbetet i madh. Juventusi dhe Flamengo kishin shfaqur interes për shërbimet e tij gjatë verës, ndërsa Interi po e përcjell nga afër situatën, me shpresën se mund ta transferojë pa dëmshpërblim.
Pavarësisht interesimit nga klubet e tjera, Liverpooli nuk dëshiron të heqë dorë nga portieri që vazhdon të jetë zgjedhja e parë mes shtyllave. Klubi anglez ka në dispozicion edhe portierin gjeorgjian Giorgi Mamardashvili, por Alisson mbetet një nga lojtarët kryesorë të skuadrës.
Tashmë mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje për ta mbajtur brazilianin në “Anfield” edhe për disa sezone të tjera.