Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka mbetur i zhgënjyer me barazimin 1:1 ndaj Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve, duke vlerësuar lart paraqitjen e skuadrës së tij, por edhe duke shprehur keqardhje për rastet e shumta të pashfrytëzuara.
Tekniku spanjoll beson se Arsenali bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke dominuar lojën dhe duke krijuar mjaftueshëm raste për të marrë një fitore bindëse.
“Mendoj se ishte një paraqitje e shkëlqyer. Mënyra se si luajtëm, duke pasur parasysh kundërshtarin që kishim përballë, është diçka për të cilën duhet të jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Ka shumë pak gjëra të tjera që mund t’i kërkosh skuadrës”, deklaroi Arteta.
Megjithatë, trajneri i londinezëve pranoi se rezultati nuk pasqyron atë që ekipi tregoi në fushë.
“Duhet të ishim shpërblyer më shumë pas një paraqitjeje të tillë, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe situatave të krijuara. Ka një element fati, por duhet edhe t’i finalizojmë më mirë aksionet”, theksoi ai.
Arteta u shpreh veçanërisht i kënaqur me dominimin dhe mënyrën se si skuadra e tij e kontrolloi ndeshjen, duke nënvizuar se Arsenali është në rrugën e duhur.
“Ishte kënaqësi ta shihje skuadrën duke luajtur në atë mënyrë. Nuk ka dyshim se sa superiorë dhe dominues ishim, sa shumë rrezikuam dhe sa të lidhur ishin të gjithë me lojën. Është e pabesueshme që, në disa raste, topi nuk përfundoi në rrjetë”, përfundoi trajneri i Arsenalit.