Jude Bellingham ka realizuar një nga golat më spektakolarë të karrierës së tij, duke e ndezur fitoren e madhe të Real Madridit ndaj PSV-së me rezultat 5:1 në Ligën e Kampionëve.
Mesfushori anglez e nisi ndeshjen nga banka rezervë, por hyrja e tij në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka.
Pas disavantazhit në pjesën e parë, Reali reagoi fuqishëm, ndërsa Bellingham në minutën e 60-të realizoi një gol të jashtëzakonshëm për 2:1.
Pas një topi të kthyer, anglezi e kontrolloi topin rreth 23 metra larg portës, e ngriti me këmbën e djathtë dhe me një volej fantastik, duke përdorur pjesën e jashtme të këmbës, e dërgoi topin në këndin e kundërt.
Një realizim që la të habitur edhe bashkëlojtarët e tij.
Pas ndeshjes, Bellingham nuk e fshehu emocionin, duke e cilësuar këtë si golin më të bukur të karrierës së tij.
“Besoj se ky është goli më i mirë në jetën time. Zakonisht shënoj nga shumë më afër portës. Topi u kthye bukur dhe mendova ta godisja me pjesën e jashtme të këmbës. Ishte një moment i bukur, por edhe shumë i rëndësishëm për fitoren”, deklaroi Bellingham.
Goli i anglezit i dha epërsinë Real Madridit, që më pas vazhdoi dominimin dhe triumfoi bindshëm me rezultat 5:1 ndaj PSV-së.
Një perlë e vërtetë nga Jude Bellingham!