Legjenda italiane e futbollit, Fabio Cannavaro, ka zbuluar se do të hiqte dorë nga “Topi i Artë” në këmbim të fitimit të titullit kampion në Serie A me Napolin, skuadrën e zemrës së tij.
Cannavaro ishte protagonist i një formati të organizuar nga “Betsson Sport”, ku iu përgjigj pyetjeve të nëntë krijuesve të përmbajtjeve, duke folur për karrierën dhe momentet më të rëndësishme të saj.
Ish-kapiteni i Italisë pranoi se largimi i hershëm nga Napoli, për shkak të vështirësive ekonomike të klubit, mbetet një nga pengjet më të mëdha të karrierës së tij.
I pyetur nëse do ta shkëmbente “Topin e Artë” me një titull kampion me fanellën e Napolit, ai u përgjigj pa hezitim:
“Mund të ta jap pa problem. ‘Topi i Artë’ është diçka e jashtëzakonshme. E fitova dhe për një mbrojtës kjo nuk është normale, por nuk është çmim kolektiv, është individual”, deklaroi Cannavaro.
Ai foli edhe për largimin nga Juventusi drejt Real Madridit në vitin 2006, duke zbuluar se nëse klubi torinez nuk do të ishte dënuar me rënie nga kategoria pas skandalit “Calciopoli”, do të kishte qëndruar në Torino.
Cannavaro e cilësoi drejtimin e Juventusit si objektiv të çdo trajneri.
Ish-mbrojtësi italian kujtoi edhe periudhën e vështirë te Interi, ku pësoi një dëmtim serioz që u diagnostikua me vonesë.
“Humbëm një muaj vetëm për të kuptuar se ishte frakturë nga stresi. U zbuluan nëntë fraktura, njëra prej tyre e zhvendosur. Për dy vjet pata një ‘thikë’ brenda në kockën e kërcirit”, tregoi ai.
Në fund, Cannavaro foli edhe për Botërorin e vitit 2006 dhe paraqitjet e Italisë, duke vlerësuar kontributin e Francesco Tottit në ndeshjet vendimtare kundër Australisë dhe Gjermanisë.
Ai kujtoi me humor edhe gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë në Dortmund, kur kishte vërejtur pasigurinë e kundërshtarëve.
“Gjermanët ishin më të bardhë se fanellat që mbanin. Duke parë pasigurinë e tyre, i thashë Buffonit me shaka: E fituam ndeshjen”, rrëfeu Cannavaro.