September 2026
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  
September 12, 2026

Fort keq janë djegur në këtë skenarin e fundit, bre!

Shkruan Alban Lumi

90 për qind e statuseve, qëndrimeve dhe komenteve në rrjetet sociale ishin absolutisht kundër vendimit të Amir Rrahmanit për largimin nga Kombëtarja me kushte.

Ai kërkon ndryshime në FFK. Por prej kur një lojtar paska të drejtë të kërkojë një puç në federatë? Kosova nuk është anarki. Këtu ka rregulla, ka institucione dhe ka procedura. Këtë, duket se kapiteni nuk e ka menduar mirë.

Dhe tash, pas gjithë kësaj, duket se ndeshja e fundit e tij me Kosovën mund të mbetet ajo humbje 4:0 ndaj Zvicrës.

Çka iu desh kapitenit të Kosovës që, pas dy vitesh, të lajmërohet përmes një avokati, i cili hapur ka dalë kundër kreut të FFK-së, dhe atë vetëm disa ditë para ndeshjeve të Kombëtares në Ligën e Kombeve?

Aty-këtu u shfaq edhe ndonjë mjeran për t’i përkrahur dezertorët, për të fyer gazetarët dhe shoqërinë që nuk mendon njësoj si ata. Sepse për disa, individi qenka më i rëndësishëm se Kosova.

Por koha po tregon shumëçka.

Pse nuk erdhi kapiteni në tri ndeshjet e Kosovës në nëntor të vitit 2023, pikërisht në kualifikimet për EURO 2024?

Kapiteni as nuk doli vetë t’ia shpjegonte popullit pse nuk ishte aty. Në vend të tij doli menaxheri dhe na njoftoi se Rrahmani mungonte sepse Kosova “nuk kishte ndonjë objektiv konkret”.

Merreni me mend! Kualifikimet për Kampionatin Evropian u konsideruan si një garë “pa objektiv konkret”.

Dhe kjo nuk ishte hera e parë.

Më 8 tetor 2020, Maqedonia e Veriut kundër Kosovës. Një finale para finales. Një ndeshje historike, me një popull të tërë para televizorëve.

E kapiteni ynë? Askund!

Sot, kur flitet për Kosovën, kapitenin dhe përgjegjësinë ndaj fanellës, këto janë gjëra që nuk mund të harrohen.

Mund të kemi debate për lojtarë, trajnerë, federatë apo gazetarë. Mund të kemi edhe mendime të ndryshme për drejtimin e futbollit.

Por një gjë duhet të jetë mbi të gjitha: Kosova.

Sepse fanella e Kosovës është mbi individin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *