September 2026
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  
September 3, 2026

Nga talenti te sistemi, ‘FIFA Talent Academy Kosova’, projekti që do ta ndryshojë të ardhmen e futbollit tonë

Ka momente në sport që nuk maten vetëm me një rezultat, një trofe apo një gol. Ato janë momente që maten me atë se çfarë mund të ndërtojmë për dekadat e ardhshme. E inaugurimi i “FIFA Talent Academy Kosova” është një prej tyre.

Në një vend ku futbolli për dekada është mbështetur shumë te talenti natyral, pasioni dhe sakrifica, tashmë po ndërtohet diçka që ka munguar: një sistem i organizuar për ta zbuluar, zhvilluar dhe përcjellë talentin që nga moshat e reja. Dhe ky është padyshim ndryshim thelbësor.

Kosova nuk ka pasur asnjëherë mungesë fëmijësh që dinë të luajnë futboll. Përkundrazi. Historia e futbollit kosovar është dëshmi se talenti ka ekzistuar gjithmonë. Ajo që shpesh ka munguar ka qenë infrastruktura, sistemi, vazhdimësia dhe mundësia që ky talent të zhvillohet deri në potencialin e tij të plotë.

E pikërisht këtu merr kuptim akademia e re e FFK-së.

Bashkëpunimi ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s nuk duhet parë vetëm si inaugurimi i një projekti apo nisje e një programi të ri. Ai duhet parë si investim në gjeneratat që ende nuk i njohim si emër, por që një ditë mund të jenë pjesë e Kombëtares së Kosovës.

Dhe s’do mend se ky është aspekti më i rëndësishëm i kësaj historie.

Fëmijët që sot stërviten në këtë Akademi nuk kanë ardhur aty për shkak të asaj që kanë arritur. Kanë ardhur sepse dikush ka parë potencialin e tyre.

Tash është detyrë e sistemit që atë potencial ta shndërrojë në zhvillim.

Për shumë vite, futbolli kosovar ka prodhuar futbollistë të talentuar edhe përkundër kushteve jo gjithmonë ideale. Shumë prej tyre janë zhvilluar më pas jashtë vendit, në akademi të huaja apo në sisteme më të avancuara.

Por një federatë nuk mund të ndërtojë të ardhmen vetëm duke shpresuar se talentet do të zbulohen diku tjetër. Duhet t’i krijojë kushtet që ata të identifikohen dhe të zhvillohen edhe në Kosovë.

“FIFA Talent Academy Kosova” është pikërisht projekti që i ka munguar futbollit të Kosovës. E ky projekt bëhet edhe më i rëndësishëm për faktin se Akademia përfshin si djemtë, ashtu edhe vajzat. Nëse një vajzë apo një djalë në cilëndo pjesë të Kosovës ka talent, ajo apo ai duhet të ketë mundësinë që ky talent të identifikohet dhe të zhvillohet. Ky është vizioni që pritet ta shoqërojë këtë projekt.

Fakti që Kosova është përfshirë në këtë projekt të FIFA-s, si e para nga shtetet e rajonit, dhe se akademia tashmë është funksionale është një arritje tejet e rëndësishme për FFK-në.

Por as ky projekt sigurisht se për disa njerëz që me çdo kusht mundohen të gjejnë “qimen në ve”, nuk do t’u bëjë përshtypje. Jo sepse nuk e dinë rëndësinë e tij, por sepse nuk arrijnë dot të pranojnë suksesin e FFK-së. Gjithsesi, këtë herë faktet flasin më qartë se çdo debat. Futbolli i Kosovës po ndërton kapacitete, po ngre standarde dhe po krijon një vizion afatgjatë për zhvillimin e talentit. Dhe këtë e thanë qartë edhe përfaqësuesit e FIFA-s në ditën e inaugurimit, duke vlerësuar rëndësinë e Akademisë dhe duke e cilësuar Kosovën si një model me potencial për t’u shndërruar në pikë reference edhe për rajonin.

Në këtë kuadër, vizioni dhe lidershipi i presidentit të FFK-së, Agim Ademi, morën edhe njëherë një konfirmim të rëndësishëm pikërisht nga FIFA. Suksesi, në fund të fundit, nuk matet me zhurmën e kritikëve të paktë, por me atë që ndërtohet.

Dhe rruga e ndjekur nga futbolli kosovar në vitet e fundit po dëshmohet përmes projekteve konkrete, investimeve në infrastrukturë, zhvillimit të trajnerëve, përfshirjes së vajzave dhe djemve dhe tash edhe përmes një akademie të dedikuar për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve.

Por kjo nuk është arsye për t’u ndalur. Përkundrazi, është arsye për të kërkuar edhe më shumë. Sepse inaugurimi është vetëm fillimi.

Suksesi i vërtetë i akademisë nuk do të matet me ceremoninë e hapjes, me numrin e mysafirëve apo me fotografitë e kësaj dite. Do të matet pas pesë apo dhjetë vjetësh.

Do të matet me numrin e futbollistëve që do të dalin prej këtij sistemi. Me futbollistet që do ta veshin fanellën e Kosovës.

Me trajnerët që do të zhvillohen. Me standardet që do të përhapen nëpër klubet e Kosovës.

Dhe mbi të gjitha, me atë se sa prej këtyre fëmijëve do të arrijnë ta realizojnë potencialin e tyre.

Por, Akademia nuk mund të funksionojë e vetme. Federata e ka krijuar strukturën, FIFA ka sjellë ekspertizën dhe standardet ndërkombëtare, por puna e përditshme zhvillohet në fushë. Aty ku janë trajnerët. Aty ku janë klubet. Aty ku janë vetë fëmijët.

Në këtë kuptim, “FIFA Talent Academy Kosova” mund të bëhet shumë më tepër sesa një akademi. Mund të shërbejë si pikë referimi për ngritjen e standardeve të zhvillimit të futbollistëve të rinj në të gjithë Kosovën.

Njohuritë, metodat e punës, teknologjia dhe standardet e kësaj akademie duhet të përhapen edhe në klube, në mënyrë që ndikimi i saj të jetë shumë më i madh sesa numri i fëmijëve që aktualisht stërviten aty.

Futbolli kosovar tashmë ka një gjeneratë që ka shkruar historinë, duke qenë vetëm një hap larg Botërorit 2026 dhe duke u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ata e sollën Kosovën në skenën ndërkombëtare, fituan ndeshje të mëdha dhe e bënë fanellën dardane të njohur përtej kufijve. Por çdo gjeneratë e ka një fund. Dhe pyetja që duhet ta bëjë çdo federatë serioze është: kush vjen pas tyre? Përgjigjja nuk mund të lihet në fat. Duhet të ndërtohet.

Pikërisht për këtë arsye, “FIFA Talent Academy Kosova” mund të jetë një prej investimeve më të rëndësishme të FFK-së në këtë dekadë. Sepse nëse sot po investohet te një fëmijë 12 apo 13 vjeç, nuk po investohet vetëm te një futbollist. Po investohet te një potencial reprezentues, te një profesionist i ardhshëm, te një histori që mund të shkruhet pas disa vitesh.

Prandaj, kjo është arsyeja pse dita e inaugurimit duhet të shihet si dita e parë e një kapitulli të ri. Kosova e ka dëshmuar se ka talent. Tani sfida është që talenti të shndërrohet në sistem. Nga sistemi, në zhvillim, nga zhvillimi, në performancë dhe nga performanca, në një gjeneratë të re që një ditë do ta vazhdojë historinë e futbollit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *