August 28, 2026

Ballkani fiton me mund ndaj Drenicës, Sermaxhaj e nis me tre pikë

Ballkani ka marrë tre pikë me shumë mund ndaj Drenicës, duke e mposhtur 2:0 të premten mbrëma në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës.

Kjo ishte ndeshja e parë për trajnerin e ri të Ballkanit, Sami Sermaxhaj, i cili u zyrtarizua të enjten në krye të skuadrës pas largimit të kroatit Mislav Karoglan.

Drenica pati mundësinë më të mirë për të kaluar në epërsi në minutën e 36-të, por Genc Hamiti dështoi të realizonte nga pika e penalltisë.

Ballkani e gjeti golin e epërsisë në minutën e 70-të. Mbrojtësi Abou Dosso bëri një aksion individual të shkëlqyer, duke kaluar tre futbollistë të Drenicës dhe më pas realizoi me një goditje të fuqishme.

Vetëm dy minuta më vonë, Albin Berisha shënoi për Ballkanin, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozitë jashtë loje.

Drenica dhe Ballkani krijuan raste deri në fund, ndërsa suharekasit e vulosën fitoren në minutën e tretë të kohës shtesë. Leart Popaj shënoi nga afërsia pas një aksioni të mirë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2:0.

Me këtë fitore, Ballkani shkon në kuotën e gjashtë pikëve pas tri xhirove. Suharekasit kanë mposhtur edhe Vushtrrinë 2:1, ndërsa në xhiron e parë ishin mposhtur 4:2 nga Prishtina.

Drenica pëson humbjen e parë të sezonit. “Kuqezinjtë” kishin nisur kampionatin me dy barazime, 0:0 ndaj Dukagjinit dhe 1:1 ndaj Malishevës.

Ndeshjet e radhës

Superliga e Kosovës vazhdon të shtunën dhe të dielën me katër përballje.

E shtunë:

  • Feronikeli 74 – Malisheva, 16:30
  • Gjilani – Dukagjini, 19:00

E diel:

  • Vushtrria – Drita, 16:30
  • Prishtina – Llapi, 19:00

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *