Belgjika ironizon SHBA-në pas kualifikimit: Përmbyseni edhe këtë
Belgjika ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara me rezultat 4:1 në ndeshjen e 1/8 së finales, të zhvilluar në Seattle.
Pas golit të katërt, sulmuesi Romelu Lukaku festoi duke vendosur dorën te veshi, një gjest që u interpretua si reagim ndaj polemikave që paraprinë sfidën. Më pas, Federata Belge e Futbollit publikoi në rrjetet sociale një fotografi të festimit të Lukakut me mbishkrimin: “Përmbyseni edhe këtë”, duke ironizuar vendimin e FIFA-s për të hequr pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Mesfushori Nicolas Raskin tha se belgët e konsideruan të padrejtë vendimin për lejimin e Balogunit dhe se kjo i motivoi edhe më shumë.
“Gjithmonë ka drejtësi diku në jetë. Nuk menduam se ajo që ndodhi ishte e drejtë, por sot na dha edhe pak motivim shtesë për ta fituar ndeshjen”, deklaroi ai.
Edhe kapiteni Youri Tielemans vlerësoi paraqitjen e skuadrës.
“Luajtëm me intensitet të madh dhe cilësi. Ishim kompaktë në mbrojtje, ushtruam presion dhe shënuam në momentet e duhura”, tha Tielemans.
Në fushë shkëlqeu Charles De Ketelaere, autor i dy golave, ndërsa realizuan edhe Hans Vanaken e Romelu Lukaku. Trajneri Rudi Garcia i la në stol Kevin De Bruyne dhe Jérémy Doku, duke treguar thellësinë e përbërjes belge.
Belgjika zgjati serinë pa humbje në 18 ndeshje dhe eliminoi SHBA-në nga Kupa e Botës për herë të dytë në 12 vjet.
Megjithatë, fitorja u zbeh disi nga lëndimi i mesfushorit Amadou Onana, i cili u detyrua të largohej herët nga loja. Garcia bëri të ditur se bëhet fjalë për një dëmtim serioz.
Në çerekfinale, Belgjika do të përballet me Spanjën, ndërsa fituesi i këtij dueli do të luajë në gjysmëfinale ndaj fituesit të ndeshjes Francë – Marok.
