Malisheva shkruan histori, Llapi përfundon në barazh

Sezoni 2025/26 në Superligën e Kosovës ka përfunduar zyrtarisht me ndeshjet e javës së fundit, duke dhënë verdiktet përfundimtare sa i përket renditjes, Evropës dhe mbijetesës.

Pa dyshim, historia e xhiros së 36-të ishte FC Malisheva. Skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli siguroi pozitën e dytë në tabelë dhe për herë të parë në historinë e klubit u shpall nënkampione e Kosovës.

Malisheva e vulosi këtë sukses me një fitore dramatike 3:2 ndaj kampiones Drita. Gjilanasit kishin krijuar epërsi prej dy golash në pjesën e parë me realizimet e Oniks Grezdës dhe Mike Artur, por vendasit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Mevlan Zeka ishte heroi i ndeshjes me dy gola, derisa një herë realizoi edhe Besnik Ferati.

Në Klinë, Dukagjini e mbylli sezonin me fitore 1:0 ndaj Ballkanit. Golin e vetëm në këtë takim e realizoi Mërgim Pefqeli.

Fitore regjistroi edhe Gjilani, që në një duel me shumë emocione e mposhti Prishtinën e Re me rezultat 3:2. Golat për skuadrën vendase i shënuan Armend Thaqi, Blerind Morina dhe Senad Jaroviq, ndërsa për mysafirët realizuan Rion Rushiti dhe Astrit Berisha.

Një nga ndeshjet më të rëndësishme të ditës u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Drenica siguroi mbijetesën në elitë falë fitores 2:1 ndaj Prishtinës. Për bardhekaltrit realizoi Albin Krasniqi, ndërsa për skuadrën nga Skenderaj shënuan Iqballa Jashari dhe Indrit Prodani.

Llapi triumfoi ndaj Ferizajt me rezultat 3:2, por fitorja nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar mbijetesën direkte. Skuadra llapjane do ta kërkojë qëndrimin në Superligë përmes ndeshjes së barazhit.

Kështu, me përfundimin e javës së fundit, bie perdja e një sezoni tjetër në futbollin elitar kosovar, ku Drita e mbylli kampionatin si kampione, Malisheva shkroi historinë me pozitën e dytë, ndërsa beteja për mbijetesë u vendos vetëm në xhiron e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *