Muriqi udhëheq Mallorcan drejt mbijetesës, fitore e artë ndaj Gironas
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka qenë pjesë kyçe në një tjetër fitore shumë të rëndësishme të RCD Mallorca, që po afrohet gjithnjë e më shumë drejt sigurimit të mbijetesës në La Liga.
Skuadra nga ishulli triumfoi minimalisht 1:0 në udhëtim ndaj Girona FC, në një përballje direkte mes dy ekipeve që luftojnë për qëndrimin në elitë. Ky sukses e ngjit Mallorcan në vendin e 15-të me 38 pikë, aq sa ka edhe Girona një pozitë më poshtë.
Golin vendimtar e realizoi Samu Costa në minutën e 43-të, duke përfituar nga një situatë në zonë pas harkimit të Johan Mojica. Në atë aksion, vëmendja e mbrojtjes u përqendrua te Muriqi, duke i hapur hapësirë mesfushorit që të godasë saktë nga afërsia.
Vetë Muriqi pati një paraqitje shumë aktive gjatë gjithë ndeshjes dhe ishte pranë golit në minutën e 32-të, por tentativa e tij u ndal në vijën e portës nga Vitor Reis.
Sulmuesi kosovar vazhdon të jetë ndër më të mirët në kampionatin spanjoll, duke renditur i dyti në listën e golashënuesve me 21 realizime, vetëm pas Kylian Mbappé që kryeson me 24 gola.
Nga ana tjetër, Girona krijoi disa raste serioze për shënim, por portieri i Mallorcas, Leo Román, ishte në formë të jashtëzakonshme me disa pritje vendimtare, ndërsa vendasit goditën edhe shtyllën.
