Llapi rikthehet te fitorja me “shpërthim” ndaj Prishtinës së Re
Llapi i është rikthyer fitores në mënyrë bindëse, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat të thellë 4:0 në kuadër të xhiros së 31-të të Superligës.
Skuadra nga Podujeva e zhbllokoi rezultatin herët, me Arbnor Ramadanin që realizoi në minutën e 6-të. Epërsia u dyfishua në minutën e 58-të nga Arianit Hasani, pas asistimit të Edon Sadriut.
Vetë Sadriu shënoi golin e tretë shtatë minuta para fundit, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Fiton Ademi në minutën e 93-të.
Prishtina e Re luajti me një futbollist më pak që nga minuta e 53-të, pas përjashtimit me karton të kuq të Endrit Morinës, gjë që ndikoi dukshëm në rrjedhën e ndeshjes.
Kjo ishte fitorja e parë e Llapit që nga fillimi i prillit, pas një serie negative prej tri humbjesh dhe dy barazimesh. Llapi tani ka 36 pikë dhe mban pozitën e tetë, që çon në barazh.
Ndërkohë, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë, duke e vështirësuar gjithnjë e më shumë mbijetesën në elitë.
