April 27, 2026

Hoffenheimi siguron Evropën, treshja kosovare udhëheq drejt ëndrrës për Championsin

TSG Hoffenheim nuk bën pjesë te klubet tradicionale të mëdha të Gjermanisë, por rruga e tij është ndër më të veçantat në futbollin modern. Deri në vitin 2000 garonte në kategorinë e pestë, ndërsa vetëm tetë vjet më vonë, në 2008, arriti për herë të parë në Bundesliga, ku që atëherë është stabilizuar pa ndërprerje.

Në arenën ndërkombëtare, Hoffenheimi debutoi në sezonin 2017/18, ndërsa paraqitjen e vetme në UEFA Champions League e kishte në edicionin 2018/19. Klubi ka qenë pjesë edhe e UEFA Europa League në sezonin 2020/21 dhe 2024/25.

Sezoni 2026/27 do të shënojë një tjetër kapitull të rëndësishëm, pasi Hoffenheimi ka siguruar pjesëmarrjen në Evropë për herë të pestë në histori. Aktualisht e ka të garantuar Ligën e Evropës, por synimi mbetet një vend në Champions.

Interesimi në Kosovë për këtë skuadër është rritur dukshëm, kryesisht falë pranisë së tre reprezentuesve: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët janë kthyer në pjesë kyçe të ekipit.

Në fitoren e fundit 2:1 ndaj Hamburger SV, që vulosi kualifikimin evropian, Asllani realizoi golin, ndërsa Hajdari kontribuoi me asistim.

Drejtori sportiv, Andreas Schicker, e cilësoi arritjen si shpërblim për punën kolektive të klubit, duke theksuar se objektivat mbeten të larta deri në fund të sezonit.

Sfida vendimtare për zonën e Championsit pritet të jetë përballja ndaj VfB Stuttgart, me të dy ekipet që janë në garë të drejtpërdrejtë për vendin e katërt. Ekziston edhe mundësia që vendi i pestë të sigurojë biletë për Champions, në varësi të rezultateve të Bayern Munich dhe SC Freiburg në garat evropiane.

Tre futbollistët kosovarë po vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në këtë ecuri. Hajdari tashmë ka rinovuar kontratën me kushte të përmirësuara, Avdullahu pritet të ndjekë të njëjtin hap, ndërsa për Asllanin flitet për një transferim të mundshëm në një klub më të madh gjatë verës.

“E kemi arritur një objektiv që pak kush e besonte në fillim të sezonit. Tani duam më shumë”, ka deklaruar Asllani pas suksesit ndaj Hamburgut.

Deri në fund të kampionatit, Hoffenheimin e presin edhe përballjet me Werder Bremen dhe Borussia Monchengladbach. Pas javës së 31-të, skuadra renditet e pesta me 57 pikë, aq sa ka edhe Stuttgarti në pozitën e katërt, duke lënë gjithçka të hapur për fundin e sezonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *