Barça fiton Superkupën, mposht Realin
Screenshot
Barcelona e fitoi trofeun e parë të sezonit, duke e mundur Real Madridin në finalen e Superkupës së Spanjës me rezultat 3-2 (2-2) në një ndeshje të zjarrtë në Xheddah.
Në minutat e para, Rafinha hapi serinë e golave për katalanasit, ndërsa në kohën shtesë të pjesës së parë, Vinicius barazoi për 1-1. Por menjëherë pas kësaj, Lewandowski shënoi për 2-1, dhe më pas Garcia barazoi sërish për Realin (2-2).
Pjesa e dytë nisi më qetë, por dy ekipet krijuan edhe disa mundësi të rrezikshme. “Mbretërit” u përpoqën të merrnin avantazhin me sulmet e Vinicius dhe Garcia, por Barcelona i mbrojti mirë këto sulme.
Vendimtar u bë goli i dytë i Rafinhas në minutën e 73-të, i cili me pak fat mposhti Courtois dhe i dha avantazhin Barcelonës. Trajneri Xabi Alonso reagoi duke futur Mbappé dhe Mastantuono, por Real nuk arriti të gjejë rrugën drejt golit të barazimit, ndonëse në sekondat e fundit pati dy raste të jashtëzakonshme.
Në fund, Barcelona mbajti avantazhin dhe e mbylli ndeshjen me fitore të madhe 3-2, duke ngritur trofeun e parë të sezonit dhe duke i dhuruar një kënaqësi të madhe tifozëve katalanas.
