Dramë dhe spektakël në “Podujevë”Zahir Pajaziti”, Llapi fiton ndaj Drenicës

Në një ndeshje të çmendur dhe plot emocione, Llapi ka arritur të marrë tri pikë të arta duke e mposhtur Drenicën me rezultat 4:3 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës.

Në një pasdite me shumë kthesa, skuadra e Tahir Batatinës tregoi karakter dhe vendosmëri për të siguruar fitoren e tretë në këtë edicion, me Muhamet Hysenin në rolin e heroit të padiskutueshëm.

Sulmuesi kryesor i llapjanëve, që vazhdon të jetë lider brenda dhe jashtë fushës, shënoi golin vendimtar në minutën e 88-të, duke shpërthyer entuziazmin në tribuna. Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 92-të, ai u zëvendësua dhe u përcoll me duartrokitje të ngrohta nga tifozët e Llapit, si mirënjohje për kontributin e tij.

Ndeshja nisi furishëm me golin e Ilir Blakqorit në minutën e 4-t, ndërsa Alex Gnapi dyfishoi epërsinë në minutën e 20-të. Megjithatë, Drenica reagoi menjëherë, duke barazuar përmes Kreshnik Ukës (5’ dhe 59’) dhe Jeton Krasniqit (43’).

Edon Zeiqi shënoi golin e tretë për Llapin në minutën e 77-të, ndërsa momenti më dramatik erdhi në minutën e 68-të kur Igball Jashari dështoi të realizonte nga penalltia, pasi goditjen e tij e priti në mënyrë fantastike portieri Marijan Çoriq.

Në fund, Hyseni me golin e tij të vonë vulosi një fitore të madhe për llapjanët, që tani renditen në vendin e pestë me 13 pikë, po aq sa ka edhe Malisheva në pozitën e gjashtë.

Në anën tjetër, Drenica zbret në vendin e shtatë me 11 pikë, sa ka edhe Gjilani, duke lënë pas vete një zhgënjim për mënyrën si humbi një ndeshje që në disa momente e kishte në dorë.

Kjo fitore rikthen entuziazmin në Podujevë dhe konfirmon se Llapi mbetet një skuadër që di të reagojë dhe të luftojë deri në minutat e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *