April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 13, 2026

Drita realizon fitoren e katërt radhazi në Superligë

Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, po vazhdon formën e shkëlqyer në kampionat. Pas paraqitjes dinjitoze ndaj Omonias në Ligën e Konferencës, ku barazoi 1:1 në mesjavë, skuadra gjilanase ka regjistruar fitoren e katërt radhazi në Superligë, duke mposhtur Ferizajn me rezultat 3:1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dhjetë të kampionatit.

Takimi, që u zhvillua të dielën, solli një lojë me ritëm të lartë dhe ngjarje të pazakonta, pasi dy autogola u shënuan në pjesën e parë. Fillimisht, në minutën e 17-të, Ardit Iljazi dërgoi topin në rrjetën e vet, duke i dhënë epërsinë Dritës. Megjithatë, Ferizaj reagoi dhe në minutën e 39-të Egzon Bejtullai realizoi një autogol, duke barazuar shifrat në 1:1.

Pas pushimit, ishte pikërisht Bejtullai ai që e zhbëri gabimin e mëhershëm, duke shënuar në portën e duhur për 2:1 në minutën e 52-të. Kurse, braziliani Mike Arthur vulosi fitoren e Dritës me golin e tretë në minutën e 82-të, duke konfirmuar epërsinë dhe dominimin e kampionëve.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë me 17 pikë, vetëm dy më pak se Ballkani që renditet i dyti, ndërsa Prishtina mbetet lidere me 25 pikë të grumbulluara.

Në anën tjetër, Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 10 pikë, duke vazhduar të kërkojë stabilitet në rezultate.

Fitorja ndaj Ferizajt konfirmon ritmin në rritje të skuadrës së Zekirija Ramadanit, që duket se po balancon me sukses angazhimet mes garave evropiane dhe kampionatit vendor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *