Zvicra e Xhakës dhe Shaqirit, e motivuar përballë Kamerunit

Nov 24, 2022

Përfaqësuesja e Zvicrës do ta nisë Botërorin në Katar të enjten kundër Kamerunit. Zvicra është në formë të lartë para përballjes më përfaqësuesen afrikane. “Helvetikët” kryesuan grupin e tyre kualifikues të Kupës së Botës pa asnjë humbje, duke lënë prapa kampionen e Evropës, Italinë. Pa humbje synojnë ta mbyllin edhe fazën grupore të Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Selektori Murat Yakin dhe kapitenit Granit Xhaka iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve të mërkurën, para ndeshjes që zhvillohet të enjten prej orës 11:00. Në grupin G janë edhe Brazili dhe Serbia. Yakin paralajmëroi se Zvicra kërkon fitore në ndeshjen e parë të turneut.

“Ne kemi një shpirt të madh ekipor dhe duam të bëjmë histori. Ne nuk jemi këtu vetëm për të luajtur së bashku. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje dhe të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur”, ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin, në konferencën për media. “Jemi përgatitur mirë për ndeshjen e parë dhe mezi presim këtë përballje”.

Edhe kapiteni Xhaka thotë se janë gati për të shkruar historinë në Katar.

“Jemi gati të bëjmë histori. Tani është qetësi nga lojtarët. Ne duam të fitojmë, shpresojmë në tri pikët e para”, ka theksuar Xhaka.

Zvicra arriti në çerekfinale të “Euro 2020” dhe kanë kaluar grupet në dy botëroret e fundit. Në të dyja botëroret u eliminuan në 1/8 e finales. Do të jetë hera e parë që Zvicra përballet me Kamerunin. Dhe, kjo do të ndodhë të enjten në stadiumin “Al-Janoub” në Al-ëakrah.

“Kameruni ka sulmues të mirë. Nuk duhet t’i lëmë vetëm. Ne kemi një mbrojtje të mirë. Ne do të jemi vigjilentë dhe të përqendruar, por jo vetëm të përqendruar në mbrojte. Duhet të jemi agresivë”, është shprehur Yakin, që ka konfirmuar se Yann Sommer do të jetë i gatshëm për lojë.

Selektori Yakin ka konfirmuar gjithashtu se edhe Xherdan Shaqiri do të jetë titullar.

“Ai po merr pjesë në një turne për herë të para pa u lënduar më parë. Ai tregoi në seancat stërvitje se sa i rëndësishme është. Ai është në formë dhe do të jetë startues ndaj Kamerunit”, ka thënë Yakin.

Xhaka thotë se në Katar ka udhëtuar me vetëbesim të madh. Ai thekson se dëshiron ta shijojë si kapiten i Zvicrës paraqitjen në Botëror. Krahas Xhakës e Shaqirit, pjesë e Zvicrës është edhe Ardon Jashari.

“Ne e dimë se Kameruni ka shumë lojtarë të mirë individualë, të cilët mund të jenë shumë të rrezikshëm. Duhet ë jemi gati që në start të takimit dhe të jemi dominues”, është shprehur Xhaka.

Xhaka ka shënuar 12 gola që prej vitit 2011 për Zvicrën. Dy ndeshje dhe disa gola më shumë ka Xherdan Shaqiri. Shaqiri përgatitet për ta zhvilluar turneun e katërt. Shaqiri po bëhet gati për ta luajtur ndeshjen e 110-të. 31-vjeçari në 109 ndeshje ka shënuar 26 gola. Ndeshja ndaj Kamerunit do të jetë e veçantë edhe për Breel Embolon. Embolo që luan për Zvicrën ka lindur në Kamerun. Xhaka ka qenë i kujdesshëm në përgjigjet kur është pyetur për përballjen me Serbinë. Ai ka thënë se fokusi i tyre është në fushë, jo edhe jashtë saj.

“Nuk na intereson rezultati. Bëhet fjalë për futbollin, duhet të kujdesemi për veten. Të dyja përfaqësueset duam fitore. Kjo është më e rëndësishmja. Ne jemi këtu për të luajtur futboll, kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Xhaka. Pas Kemerunit dhe Brazilit, Zvicra në ndeshjen e tretë përballet me Serbinë. Me Serbinë ishte përballur edhe në Botërorin “Rusia 2018”. Zvicra pati fituar 2:1 falë dy golave të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Të dy festuan golat e tyre duke krijuar me duar shqiponjën dykrerëshe.

Për Kamerunin kjo është paraqitje të tetë në Botëror. Kameruni po kërkon të përsëritë suksesin e tyre në Itali. Në Botërorin e vitit 1990, Kameruni pati arritur në çerekfinale, ndërsa nuk ka kaluar grupin në pesë paraqitje.

“Ne tashmë kemi parë disa befasi në Botëror. Ne e respektojmë kundërshtarin tonë, por në fushë do të synojmë të jemi më të fortë. Renditja nuk vlen asgjë kur je në fushë dhe ne këtë do të dëshmojmë sepse jemi gati për këtë ndeshje”, ka insistuar përzgjedhësi i Kamerunit, Rigobert Song.