Arrestohet në Holandë futbollisti i Juventusit

Bianconerët rrezikuan verën e vitit 2021, por megjithatë vendosën të sjellin në skuadrën e tyre Mohamed Ihataren.
Rreth 2 milionë euro u ndanë për ‘fëmijën’ e PSV-së, edhe pse në momentin e transferimit, holandezi i ri vlerësohej mbi 10 milionë euro. Në momentin që ai mbërriti në Torino, për karrierën e tij u kujdes Mino Raiola , por as tanimë i ndjeri Raiola nuk arriti ta qetësonte futbollistin e ri.
Ai u dërgua shpejt në Sampdoria në formë huazimi, ku nuk luajti asnjë minutë – madje vendosi vetë të largohej nga Genoa dhe të kthehej në Torino. Më pas Bianconerët e dërguan te Ajax në janar të këtij viti, por edhe atje ai nuk pati një kohë loje dukshëm më të mirë, problemet vetëm sa u shtuan.
Ditën e djeshme i riu Mohamed është arrestuar në shtëpinë e tij në Utrecht, teksa mediat holandeze nuk kanë informacion të plotë, por përflitet se futbollisti është ndaluar për shkak të kërcënimeve. Futbollisti problematik duhet të rikthehet në fund të vitit te Juventusi, ku sigurisht që nuk llogarisin fare tek ai.