Kosova qëndron kundër racizmit dhe diskriminimit: Reagimi i presidentit Ademi pas ndeshjes Rumani-Kosovë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar fuqishëm ndaj ngjarjeve të rënda që ndodhën në Bukuresht gjatë ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, ku thirrjet raciste dhe anti-Kosovë detyruan ekipin tonë kombëtar të ndërpriste lojën.
Në një mesazh në Instagram, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të Komitetit Ekzekutiv, ka falënderuar lojtarët, tifozët, median dhe opinionin publik për mbështetjen e tyre të pakursyer ndaj vendimit të ekipit për të mos vazhduar lojën.
“Ky vendim nuk ishte i lehtë, por ishte i drejtë. Duke ditur krejt atë që na kishte ndodhur një vit më parë, nuk kemi pritur që një gjë e tillë të na përsëritet sërish në Rumani” – u shpreh Ademi.
Presidenti Ademi potencoi se incidentet, provokimet dhe thirrjet diskriminuese që u dëgjuan në stadium ishin një sulm i hapur, jo vetëm ndaj ekipit kombëtar, por edhe ndaj shtetit dhe kombit të Kosovës. Ai theksoi se pavarësisht epilogut ligjor të kësaj ndeshjeje, Federata do të vazhdojë të kërkojë drejtësi deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë.
“Ky ishte një akt i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e Kosovës dhe për të mbështetur çdo përpjekje për një sport të pastër dhe të drejtë, ashtu siç janë edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s“
Mesazhi i plotë i presidentit Agim Ademi
Të dashur lojtarë, tifozë, media dhe opinion i gjerë,
Në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshiroj të shpreh falënderimin më të sinqertë për mbështetjen tuaj të pakursyer ndaj vendimit të përbashkët të lojtarëve tanë, shtabit teknik, stafit dhe Federatës për të mos vazhduar lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë që ndodhën në Bukuresht, në ndeshjen Rumani-Kosovë.
Ky vendim nuk ishte i lehtë, por ishte i drejtë. Duke ditur krejt atë që na kishte ndodhur një vit më parë, nuk kemi pritur që një gjë e tillë të na përsëritet sërish në Rumani.
Tani pavarësisht çfarë epilogu ligjor do të ketë kjo ndeshje, duhet theksuar se ne kemi qenë të lënduar emocionalisht (e sidomos lojtarët) nga provokimet dhe nënçmimi i vazhdueshëm që tifozët rumunë bënë në kor.
Kulmi u arrit me incidentin e inicuar nga disa futbollistë kundërshtarë, çka krijoi një ndjenjë të qartë sulmi, jo vetëm ndaj skuadrës sonë, por ndaj shtetit dhe kombit tonë.
Në ato momente të vështira, lojtarët tanë reaguan me dinjitet, dhe ne si Federatë qëndruam krah tyre për të mbrojtur emocionet dhe dinjitetin e tyre dhe të shtetit tonë.
Ky ishte një akt i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e Kosovës dhe për të mbështetur çdo përpjekje për një sport të pastër dhe të drejtë, ashtu siç janë edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s.
Falënderojmë të gjitha institucionet dhe opinionin publik për përkrahjen e tyre të drejtë dhe të vendosur. Ne sigurojmë se nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi konform rregulloreve për rastet e tilla politike dhe qëllimkëqija që nuk kanë vend në sport deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportivë (KAS) në Lozanë.
Futbolli duhet të jetë simbol i fair-play-it dhe bashkimit, veçanërisht në ndeshjet e kalibrit të tillë.
Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi!
Forca Dardanë! Forca Kosovë!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së
https://www.instagram.com/p/DCb4jJio8-8/?igsh=OXFzeHF2MXE3azdw
