19 talente të gjeneratave 2012 e 2013 nisin punën intensive në Akademinë e FIFA-s
Në vazhdën e punës së Akademisë së FIFA-s në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka nisur puna intensive edhe me talentet e reja të gjeneratave 2012 dhe 2013.
Pjesë e këtij programi janë 19 futbollistet më të talentuara të këtyre grupmoshave, të seleksionuara nga të gjitha Lidhjet Rajonale të Futbollit në Kosovë. Përzgjedhja e tyre është bërë përmes procesit të vëzhgimit dhe identifikimit të talenteve në të gjitha rajonet e vendit gjatë muajit qershor.
Akademia zhvillohet në kuadër të programit të FIFA-s Talent Development Scheme, me synim krijimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e talenteve të reja dhe përgatitjen e tyre për nivelet më të larta në të ardhmen.
Përmes stërvitjeve të rregullta, punës së specializuar dhe një programi të strukturuar zhvillimor nën mbikqyrjen e ekspertit të FIFA-s, Rainer Kraft, vajzat e përzgjedhura do të kenë mundësinë të avancojnë aftësitë e tyre teknike, taktike dhe fizike, duke u përgatitur për të ardhmen e ekipeve kombëtare të Kosovës.
