Ancelotti: Kemi mundur më mirë, por nuk dua të justifikohem
Carlo Ancelotti u paraqit para medieve në përfundim të ndeshjes mes Mallorca-s dhe Real Madridit në Son Moix. Trajneri italian analizoi performancën e ekipit të tij dhe theksoi se ky takim duhet të shërbejë si mësim për të kuptuar ku duhet të përmirësohen. Natyrshëm, Ancelotti nuk u shfaq i kënaqur me rezultatin.
Ndeshja: “E kemi filluar mirë ndeshjen, u përpoqëm të shënonim edhe një gol pas atij të parit. Në pjesën e dytë na ka munguar ekuilibri. Kjo është një ndeshje që mund të kishim humbur për shkak të mungesës së ekuilibrit. Nuk ishte një performancë e mirë. Jemi një ekip shumë ofensiv dhe ekuilibri mbrojtës është pjesë thelbësore”.
Zëvendësimet e vonshme: “Secili ka mendimin e tij për zëvendësimet, janë detaje të vogla. Mund të kenë qenë të vonshme ose jo”.
Vlerësimi për barazimin: “Nuk jemi të kënaqur. Mund të kishim bërë shumë më mirë. Nuk dua të kërkoj justifikime. Nga kjo ndeshje mund të mësojmë shumë sepse ishte e qartë ku mund të kemi probleme”.
Pozita e Mbappé dhe Vinicius: “Ata mund të ndërronin pozita herë pas here. Ana e majtë duhet të mbulohet nga Mbappé ose Vinicius, pa ndonjë plan të veçantë, sipas ndjenjave të tyre”.
Gabimet në mbrojtje: “Aspekti mbrojtës nuk ka qenë i mirë. Na ka kushtuar për të rikuperuar topin dhe për të bërë presion pas humbjes së tij. Kur flitet për mbrojtjen, flitet kryesisht për angazhimin kolektiv”.
Pjesa e dytë: “Ka qenë një problem që ekipi ishte shumë i hapur. Duhej të ishim më të përqendruar”.
Gjërat që duhet përmirësuar: “Ekuilibri arrihet kur lojtarët mendojnë njësoj kur duhet të rikuperojnë topin. Duhet të shkojmë të gjithë së bashku. Të gjithë mund të mendojnë se është një problem i sulmuesve, por gjithashtu mund të jetë nga mbrojtësit ose mesfushorët. Nuk e kanë kuptuar se ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Mallorca luajti një ndeshje të shkëlqyer dhe ishte më e mirë se ne. Barazimi është epilog i drejtë”.
