FFK bashkëpunim me Arabinë Saudite për digjitalizimin e sistemit të garave

Federata e Futbollit e Kosovës së shpejti pritet ta vazhdojë procesin e digjitalizimit të sistemit të garave përmes një bashkëpunimi me Federatën e Arabisë Saudite. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili sot ka pritur mysafirin saudit.
“Sot pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në Kosovë, Mohamed Soltan, drejtor për Teknologji e Inovacion në Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite. Vizita e tij në FFK ka të bëjë me fillimin e bashkëpunimit lidhur me sistemin elektronik ‘MySAFF’ të zhvilluar nga Federata e Arabisë Saudite, e që është implementuar gjithashtu nga federata tjera botërore. Soltan, në Kosovë shoqërohet nga kolegu i tij, Dhafer Alshehri, menaxher për teknologji në Federatën e Arabisë Saudite. Ata do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën, e ku do të mbajnë takime edhe me departamentet e FFK-së”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale. Ai ka bërë të ditur se “MySAFF” është ekosistemi digjital, ku përfshihen: sistemi i regjistrimit të lojtarëve, sistemi i garave si dhe sisteme të tjera që mundësojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të digjitalizimit të FFK-së.