Foda zbulon objektivin me Kosovën: Të parët në grup në Ligën e Kombeve, e më pas Botërori 2026

Franco Foda është sërish trajner i një ekipi kombëtar të futbollit. 57-vjeçari gjerman është prezantuar të shtunën si trajner i Kombëtares së Kosovës, shkruan “Der Standard”. Ish-shefi i Kombëtares së Austrisë, fillimisht synon ta udhëheqë Kosovën drejt ngjitjes në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe më pas në pjesëmarrjen e parë në një turne të madh final. Synimi është Botërori 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada, i cili do të zgjerohet në 48 ekipe.

“Për mua është një nder i madh të punoj përsëri për një vend si trajner kombëtar. Së pari duam të jemi të parët në grup në Ligën e Kombeve. Pas kësaj, synimi ynë i madh është kualifikimi në Kupën e Botës 2026. Ne do punojmë shumë së bashku për këtë”, shpjegoi gjermani. “Unë kam një plan të qartë dhe një strategji të qartë”, tha tutje Foda.

Foda ishte timonier i ekipit në Austri nga janari 2018 deri në fund të marsit 2022 dhe udhëhoqi kombëtaren austriake drejt një suksesi historik në Kampionatin Evropian 2021. Pas fitores së parë nga një skuadër austriake në një finale të Kampionatit Evropian (3-1 kundër Maqedonisë së Veriut) dhe një tjetër suksesi (1-0 kundër Ukrainës), Austria kaloi për herë të parë në raundin e 16-të. Pas një paraqitjeje të fortë, Alaba me shokë iu desh të pranonin humbjen ndaj kampionëve evropianë, Italisë, 1-2 pas kohës shtesë. Pas dështimit për t’u kualifikuar për Kupën e Botës në Katar në vitin 2022, Foda dha dorëheqjen te Austria. Para kësaj, ai ka festuar suksese në Austri me Sturm Graz si lojtar dhe trajner. Si lojtar, ai fitoi dy tituj kampion (1998, 1999) dhe bëri tre paraqitje në Champions League. Si trajner, ai udhëhoqi Sturmin drejt titullit në 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *