July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 4, 2024

Lumbardh Dellova “Futbollist i vitit” 

11 min read

Kulmi i Gala Mbrëmjes “Laureatët 2023” ishte me shpalljen e “Futbollistit më të mirë të vitit”, epitet ky që i takoi qendërmbrojtësit të FC Ballkani dhe Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova. 2023-ta ishte një vit i jashtëzakonshëm për këtë talent të shquar i cili me paraqitjet e tij i ka sjellë lavdi futbollit kosovar. Lumbardh Dellova ka shfaqur një formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti. Duke qenë pjesë e FC Ballkanit, ai me punën e tij të palodhshme ka kontribuar në fitimin e titullit të kampionit në Albi Mall Superligë, por ka shkëlqyer edhe në skenën ndërkombëtare me pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Conference League. Paraqitjet e tij të jashtëzakonshme nuk u ndalën këtu. Lumbardh Dellova dha një kontribut të pamohueshëm në Kombëtaren e Kosovës, duke shfaqur talentin e tij dhe duke treguar një nivel të lartë profesionalizmi në çdo ndeshje.Me votat e gazetarëve sportivë, Lumbardh Dellova është shpallur me plot meritë “Futbollisti i Vitit”. Ai mblodhi 108 vota të gazetarëve, duke lënë pas vetes bashkëlojtarin e tij te FC Ballkani, Nazmi Gripshi, me 76 vota. Çmimin për Dellovën e ndau presidenti Agim Ademi.

Top 11-shja e vitit në Albi Mall Superligë

Është zbuluar edhe Top 11-shja e vitit 2023 në Albi Mall Superligë, e cila është krijuar në bazë të votave të 10 trajnerëve të klubeve të Superligës. 11-shen e vitit e dominojnë futbollistët e skuadrës kampione, FC Ballkani. Madje gjashtë futbollistë të portokallezinjve kanë gjetur vend në formacionin e vitit, teksa me dy lojtarë përfaqësohet Llapi dhe me një lojtar Drita, Prishtina dhe Malisheva. Çmimet për Enea Koliqin, Armend Thaqin, Lorenc Trashin, Lumbardh Dellovën, Ilir Krasniqin, Nazmi Gripshin, Drilon Hazrollajn, Qëndrim Zybën, Rron Brojën, Muhamet Hysenin dhe Jalen Blesën i kanë ndarë dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Agim Nura dhe Ismajl Ajeti.

Amir Rrahmani fitues i çmimit “Fadil Vokrri”: Ky çmim më jep shtysë për suksese të reja

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe anëtari i klubit Italian Napoli, Amir Rrahmani është vlerësuar me çmimin “Fadil Vokrri” për herë të dytë nga Federata e Futbollit e Kosovës. 29-vjeçari po e përmbyll një vit fantastik në aspektin personal por edhe në sukseset e me klubin e tij. Rrahmani ishte ndër më të dalluarit dhe më meritorët që Napoli fitoi për herë të tretë në histori të klubit titullin e Kampionit të Italisë. Me klubin kampion të Italisë, Rrahmani ka zhvilluar më shumë 40 ndeshje këtë vit, duke bartë barrë të rëndësishme në prezantimin personal por edhe të shtetit të Kosovës, jo vetëm në ligën e Italisë, por edhe në arenën më të çmueshme të futbollit evropian, Ligën e Kampionëve. Përtejë paraqitjeve me Napolin, Rrahmani po ashtu ishte ndër futbollistët më të rëndësishëm të ekipit kombëtar, përkundër faktit se për Kosovën nuk ishte një prej viteve më të mira. Përveç cilësive teknike si futbollist, karizma, pasioni, vendosmëria dhe karakteri, e bëjnë Amir Rrahmanin një lider e një kapiten të vërtetë të ekipit Kombëtar. E në pamundësi për të qenë i pranishëm në manifestimin “Laureatët 2023”, Amir Rrahmani përmes një video-mesazhi ka përshëndetur të pranishmit dhe opinionin në Kosovë, duke i falënderuar për vlerësimin me këtë çmim të rëndësishëm. “Për shkak të pamundësisë për të qenë aty me ju, po e bëj këtë video në shenjë falënderimi për çmimin. Ky çmim është shumë i veçantë që më jep shtysë dhe vetëbesim për vitet e ardhshme. Viti që po e lëmë pas ka qenë shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm, sidomos me klubin tim ku u shpallëm kampion pas 33 vjetësh, që është një kohë shumë e gjatë për një ekip që të rishpallet kampion. Ka qenë një sukses i rrallë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij suksesi. Me Kombëtaren e Kosovës kemi pasur shumë ndeshje të rëndësishme, kemi bërë shumë ndeshje të bukura. Jo gjithmonë rezultati ka qenë ashtu siç kemi dashur, por jemi duke u përmirësuar dhe duke besuar deri në fund se diçka të madhe mund ta bëjmë së bashku. Edhe një herë ju falënderoj shumë dhe shpresoj që t’u jap ende edhe më shumë ndeshje të mira dhe suksese të tjera”, ka theksuar Rrahmani në video-mesazhin e tij.

Erëleta Memeti vlerësohet për të arriturat në Kombëtare

Fokus të veçantë viteve të fundit FFK po i kushton futbollt të femrave. Sukseset tashmë janë evidente, andaj me “Mirënjohje për të arritura në Kombëtare” në këtë mbrëmje është vlerësuar futbollistja e Kombëtares së Kosovës dhe anëtarja e skuadrës së Bundesligës, TSG-Hoffenheim, Erëleta Memeti. Ajo me punën, përkushtimin, kontributin dhe sukseset e saj ka treguar se është model për t’u ndjekur nga vajzat e reja në Kosovë. Falë golave të saj ekipi i Dardaneve ka arritur ta fitojë grupin në Ligën C, duke u promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve. Çmimin për Erëleta Memetin e ndau Vjollca Krasniqi, anëtare e Komitetit Ekzekutiv.

“Jam lindur e rritur në Gjermani, por jam krenare që përfaqësoj Kosovën. Falënderoj familjen për mbështetje dhe bashkëlojtaret që kemi pasur një vit të suksesshëm, duke avancuar në Ligën B të Ligës së Kombeve”, tha Memeti.

Armand Duka nderohet me çmimin për arritje në UEFA dhe futbollin kombëtar 

Federata e Futbollit e Kosovës vlerëson lart personalitetet të cilat me punën e tyre kanë çuar futbollin kombëtar në një tjetër nivel. Andaj në shenjë respekti, FFK ka ndarë disa çmime të veçanta në manifestimin “Laureatët e Vitit”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është nderuar me çmimin për arritje në UEFA dhe futbollin kombëtar. I pari i shtëpisë së futbollit në Shqipëri, këtë vit është zgjedhur zëvendëspresident i UEFA-s, derisa me kombëtaren e Shqipërisë ka arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Çmimin për z. Duka e ka ndarë presidenti Agim Ademi bashkë me presidentin e FFM-së, Muamed Sejdini.

Samir Ujkani nderohet me çmimin e karrierës: Krenar që pata mundësinë të jap kontribut për vendin tim 

Këtë vit FFK ndau një çmim të veçantë siç është “Çmimi i Karrierës”. Ky çmim i dedikohet futbollistëve të cilët kanë pasur karrierë të suksesshme dhe të cilët kanë dhënë kontribut në futboll. E ky çmim i takoi ish-portierit dhe ish-kapitenit të Kombëtares, Samir Ujkani, i cili sivjet u pensionua nga futbolli aktiv. Përtej sukseseve nëpër klube ku ka luajtur ndër vite, Samir Ujkani është ndër të parët i cili i është bashkuar kombëtares së Kosovës. Ndikimi i tij në ekipin dardan ishte i jashtëzakonshëm. Kontribut të madh, vetëm se tani në një form tjetër, presim që ai të jap edhe në pozitën e re, si zëvendës drejtor i Kombëtares së Kosovës.

Çmimin për Samir Ujkanin e ndau ish-kryetari i FFK-së, Sabri HashaniAi pas marrjes së këtij çmimi u shpreh falënderus ndaj FFK-së dhe krenar që i ka shërbyer vendit.

“Ndjej emocione por edhe kur shikoj karrierën time. Jam 10 vjet që jam bashkuar me Kombëtaren e Kosovës, Kemi pasur moment shumë të vështira, por edhe momente që kanë qenë të paharrueshme. Falënderoj familjen time, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë ata që më kanë përkrahur. Shpresoj të jap kontributin tim edhe nga pozicioni i ri dhe të arrijmë suksese së bashku”, ka theksuar Ujkani.

Ilir Daja “Trajner i Vitit”

Pa dyshim ndër më të merituarit për sukseset e FC Ballkani gjatë këtij viti ka qenë edhe trajneri i spikatur nga Shqipëria, Ilir Daja. Ai me karakterin, profesionalizmin dhe punën e bërë arriti që të ndërtojë një skuadër të suksesshme dhe përplot motiv. Arritjet e klubit portokallezi kanë bërë që Ilir Daja të vlerësohet me meritë trajneri më i mirë i vitit në futbollin e Kosovës. Çmimin e ndau trajneri i shquar dhe legjenda e futbollit kosovar, Ajet Shosholli

“Ndjehem i nderuar që ndodhem përpara shumë personaliteteve të sportit dhe jo vetëm. Do ta ndaj këtë çmim me lojtarët që janë akterët kryesor, presidentin Kabashi, me stafin tim, pot do ta ndajë edhe me të gjithë trajnerët e Kosovës, sepse unë jam njëri midis jush dhe të gjithë po kontribuojmë për zhvillimin e futbollit të Kosovës”, tha Daja.

Albion Rrahmani “Golashënuesi më i mirë” 

Ndonëse që nga vera e këtij viti nuk është pjesë e Superligës së Kosovës, sulmuesi llapjan Albion Rrahmani, ka arritur ta fitojë çmimin ‘Këpuca e Artë’, falë 14 golave të shënuar në stinorin pranveror të edicionit të kaluar kur ishte pjesë e FC Ballkani. Rrahmani nga stinori vjeshtor është pjesë e skuadrës rumune Rapid, ku edhe atje vazhdoi me ‘bombardimin’ e portave kundërshtare. Aktualisht Albioni është duke u rikuperuar nga lëndimi që e pësoi me kombëtaren e Kosovës në ndeshjen ndaj Andorrës. Por, shumë shpejt pritet të rikthehet në fushën e gjelbër, me misionin e njëjtë – shënimin e golave. Ndarjen e çmimit për Albion Rrahmanin e ka bërë sportisti i cili pak ditë më parë na bëri krenar me paraqitjen e tij në tatam, fituesi i medaljes së artë në Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos në Prishtinë, Akil Gjakova.

FC Ballkani “Klubi më i mirë i vitit”, FC Drita “Klubi më ‘Fair-Play’”

Kampioni në fuqi dhe lideri aktual në renditjen e Albi Mall Superligës, FC Ballkani nga Suhareka është shpallur “Klubi më i mirë i vitit” në ceremoninë “Laureatët 2023”. Ky çmim i ka takuar me plotë meritë klubit nga Suhareka, i cili edhe sivjet na ka bërë krenar me paraqitjet e tij në arenën evriopiane. Përveq titullit kampion, Ballkani ka treguar rezultate tejet të mira edhe në garat evropiane, ku për të dytin vit radhazi ka arritur të marrë pjesë në fazën e grupeve në UEFA Conference League. Çmimin për përfaqësuesin e këtij klubi e ndau Mirsad Çollakun anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.Ndërkohë, skuadra nënkampione, Drita është shpallur “Klubi më ‘Fair-Play’” në Gala Mbrëmjen “Laureatët 2023”. Drita përveç paraqitjeve të mira gjatë këtij viti ka rezultuar edhe klubi më i disiplinuar në Superligën e Kosovës në futboll. Drita ka qenë klubi me më së paku inicime disiplinore dhe pa asnjë karton të kuq direkt. Këtë çmim për përfaqësuesin e FC Drita e ndau Naser Ajeti, anëtar i Komitetit Eksekutiv të FFK-së.

Visar Kastrati merr çmimin ‘Referi më i mirë’ 

Sikurse çmimi ashtu edhe funksioni i tyre është shumë i ndjeshëm. Ata shpesh janë në thumb të kritikës si nga tifozët, ashtu edhe nga drejtuesit e klubeve, trajnerët e futbollistët. Por, misioni i tyre është fisnik – ndarja e drejtësisë. Çmimi “Referi më i mirë” i ka takuar Visar Kastratit. Ai është shpallur më i miri i vitit bazuar në llogaritjen e vlerësimeve si gjyqtar kryesor dhe gjyqtar në VAR. Kastrati është vlerësuar me notën mesatare 8.10 bazuar në performancën e tij gjatë stinorit pranveror dhe vjeshtor të vitit 2023 dhe kësisoj është ranguar më mirë se kolegët e tij. Çmimin për Visar Kastratin e ndau Ismet Shurdhani, ish-refer me renome dhe aktualisht anëtar i komisionit për vlerësimin e referëve.“Fillimisht falënderoj Komisionin e Gjyqtarëve për vlerësimin. Falënderoj edhe kolegët e mi gjyqtarë, sepse puna jonë është ekipore. Falënderoj edhe familjen për mbështetjen dhe sakrificën. Besoj se ky çmim do të jetë një shtytje e madhe që të ngrisim nivelin tonë dhe të jemi në hap me ngritjen e futbollit në Kosovë”, ka theksuar Kastrati.

Bajram Ramadani dhe FC Prishtina 01 nderohen me çmime në futsall

Portieri i FC Prishtina 01 dhe i Kombëtares së Kosovës në futsall, Bajram Ramadani e ka fituar çmimin “Më i miri i futsallit” në mbrëmjen “Laureatët 2023”. Bajrami me paraqitjet e tij fantastike, e ka ruajtur në mënyrën më të mirë portën e ekipit të tij, duke qenë ndër më të merituarit që FC Prishtina 01 u shpall kampion në Superligën e Kosovës në futsall, por po ashtu edhe që arriti në fazën “Elite Round” në Ligën e Kampionëve. Këtë çmim e ndau kryetari i Komisionit të futsallit, Hysni Gjinovci. Ndërkohë, Prishtina 01 u nderua me çmimin “Klubi më i mirë” për një vit të shkëlqyeshëm jo vetëm në kampionatin vendor, por edhe për suksesin e treguar në Ligën e Kampionëve, duke e përfaqësuar në mënyrë mbrëslënëse futsallin kosovar. Çmimin për përfaqësuesin e këtij klubi e ndau anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Predrag Jovic.

Anita Krasniqi “Shpresa e Vitit 2023”

Çmimi i parë në Gala Mbrëmjen “Laureatët 2023”, e cila është organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës në një atmosferë të shkëlqyeshme dhe përplot emocion i ka takuar portieres së KFF “16 Qershori” nga Malisheva, Anita Krasniqi. Ajo përveç me klunin e saj ku arriti ta fitojë titullin e kampionit në Ligën U17, ka spikatur me paraqitje të mira edhe në ekipet kombëtare të grupmoshave, duke u dëshmuar si një talente që premton për të ardhmen.Këtë çmim e ka ndarë Sanijie Krasniqin përzgjedhëse e Kombëtares së Kosovës U17 në konkurrencën e femrave.

Feride Kastrati futbollistja më e mirë e vitit

Njëra nga futbollistet me më përvojë në Kombëtaren e Kosovës dhe në KFF EP Hajvalia, Feride Kastrati është nderuar me çmimin “Futbollistja më e mirë e vitit” në manifestimin “Laureatët 2023”. Ajo gjatë këtij viti ka pasur paraqitje shumë të mira, duke qenë ndër më të merituarat që EP Hajvalia iu gëzua titullit të kampionit në Sigal Superligën e femrave, në një konkurrencë të fortë me KFF Mitrovica. Përveç lojërave të mira me skuadrën e saj, Feride Kastrati dha kontribut të çmuar edhe në Kombëtaren e Kosovës, me të cilën arriti të shpallet kampion në grupin e vet të Ligës C në Ligën e Kombeve. Çmimin për Feride Kastratin e ndau Valbona Gashi Uka, shefe e futbollit të vajzave në FFK.

EP Hajvalia merr çmimin ‘Klubi më i mirë’ në konkurrencën e femrave

Ndarja e çmimeve në manifestimin “Laureatët 2023” vazhdoi me shpalljen e klubit më të mirë në konkurrencën e femrave. E ky epitet me meritë i takoi KFF EP Hajvalia. Kjo skuadër fitoi titullin e kampionit në Sigal Superligë, si dhe u paraqit në Ligën e Kampionëve. Çmimin për këtë klub e ndau Xhelal Broja, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *