Prishtina shkëlqen në ‘Fadil Vokrri’, mposht Trepçën’89

Prishtina ka shënuar fitoren e tretë rresht në të gjitha garat, me trajnerin Debatik Curri, që mori drejtimin e skuadrës në vend të trajnerit Ismet Munishi. Trajneri Curri fillimisht eliminoi Ballkanin nga Kupa e Kosovës, fitoi ndaj Drenicës në udhëtim, ndërsa triumfoi edhe në shtëpi kundër Trepçës ’89.
Prishtinasit fituan me rezultatin 4:1 në ndeshjen e xhiros së 27-të të Superligës, në rikthimin e “bardhekaltërve” në stadiumin “Fadil Vokrri” pas një kohe të gjatë.
Kapiteni i mysafirëve Ardian Muja shënoi për epërsinë e Trepçës ’89 në minutën e 30-të. Albin Prapashtica i barazoi shifrat në minutën e 53-të, ndërsa përmbysja e rezultatit u bë tre minuta më pas. Qendërmbrojtësi Bujar Pllana shënoi për 2:1 në portën e Arion Ymerit, portierin e Trepçës ’89, të cilin e mposhti edhe në minutën e 66-të për 3:1. Golin e katërt dhe të fundit Prishtina e shënoi në minutën e 85-të nëpërmjet Shefit Shefitit.
Prishtina në pozitën e katërt ka 38 pikë, kurse Trepça ’89 në vendin e tetë, mbetet me 29 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Prishtina luan në shtëpi ndaj Dukagjinit, kurse Trepça ’89 i shkon Dritës.