Vuçiç ndez “zjarrin” para sfidës Shqipëri–Serbi: Mesazhi i koduar që duket si urdhër për fitoren!

Pas fjalëve të buta dhe buzëqeshjeve në samitin e Tiranës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka rikthyer retorikën e vjetër. Në një tubim politik të partisë së tij SNS, ai zgjodhi sportin – pikërisht sfidën e shumëpritur Shqipëri–Serbi më 7 qershor – për të dërguar një mesazh të fortë, që më shumë ngjante me një urdhër sesa me një urim sportiv.

Me tone të ndezura dhe mes duartrokitjesh, Vuçiç i bëri një thirrje të hapur trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, i cili ndodhej në sallë:
“Në qershor luani kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata!”

Trajneri Stojkoviç buzëqeshi dhe përtypte çamçakëz, ndërsa kamerat fokusonin reagimin e tij. Por nuk kishte nevojë për koment – mesazhi ishte i qartë dhe i koduar politikisht.

Kjo deklaratë kontraston hapur me tonin diplomatik që Vuçiç mbajti në Tiranë përballë liderëve evropianë dhe Kryeministrit Edi Rama. Por me afrimin e sfidës së 7 qershorit, ku emocionet janë gjithmonë të ndezura për shkak të historisë së tensionuar mes dy vendeve, duket se sporti është kthyer sërish në arenën ku politika provon muskujt.

Diplomacia e buzëqeshjeve zbehet, por loja në fushë pritet të jetë më e zjarrtë se kurrë. Tifozët nga të dyja kampet e ndiejnë: nuk është vetëm një ndeshje futbolli.
Kjo është më shumë se kaq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *