Tërhiqet shorti edhe për edicionin e ri të Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë
Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur sot shorti edhe për edicionin e ri të garave në Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë.
Ceremonia e shortit për Ligën e Parë u mbajt në prani të kryetarit të Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, administratorit të Superligës dhe Ligës së Parë, Agron Shosholli, si dhe përfaqësuesve të klubeve pjesëmarrëse.
Me këtë rast, Bellopoja u uroi klubeve përgatitje sa më të mira për sezonin e ri, duke shprehur besimin se kampionati do të karakterizohet nga organizim i mirë, garë korrekte dhe futboll cilësor.
Edicioni i ri i Ligës së Parë do të nisë më 15 gusht.
Ndërkaq, shorti për Ligën e Dytë u drejtua nga anëtari i Komisionit të Garave, Baki Berisha. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe administratori i Ligës së Dytë, Liridon Bajrami, si dhe administratori i Superligës dhe Ligës së Parë, Agron Shosholli.
Berisha u bëri thirrje klubeve që të vazhdojnë të avancojnë standardet organizative, me qëllim që edhe sezoni i ri të zhvillohet në frymë sportive, me mbarëvajtje të plotë të garave dhe me rritje të vazhdueshme të cilësisë së këtij rangu.
Kampionati i Ligës së Dytë do të fillojë më 22 gusht.




