April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

Superliga nis me befasi: Ferizaj ndal kampionin, Prishtina e Re shkëlqen në debutim

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll, 2025/26, ka nisur të dielën me ndeshje mjaft interesante dhe rezultate befasuese. Kampioni në fuqi, Drita, e nisi me humbje mbrojtjen e titullit, ndërsa debutuesja Prishtina e Re shkëlqeu me fitore bindëse në udhëtim.

Ferizaj surprizon kampionin
Në ndeshjen hapëse, Ferizaj arriti të mposhtë 1:0 kampionin aktual, Dritën e Gjilanit. Golin e vetëm dhe të fitores për vendasit e shënoi Jakup Berisha në minutën e 12-të. Drita mbeti me një lojtar më pak që nga minuta e 39-të, kur mbrojtësi Raddy Ovouka u përjashtua me karton të kuq.
Gjilanasit janë skuadra e vetme nga Kosova që vazhdon garat në Evropë dhe të enjten do ta zhvillojnë ndeshjen e parë të play-offit të Ligës së Konferencës kundër kampionit të Luksemburgut, Differdange.

Debutim i ëmbël për Prishtinën e Re
Skuadra e sapo-promovuar në elitë, Prishtina e Re, e nisi me stil aventurën në Superligë. Në udhëtim te Malisheva, djemtë e trajnerit Elon Berisha fituan me rezultat të thellë 4:0. Hero i ndeshjes ishte sulmuesi Toni Correia Gomes, që realizoi “hat-trick”. Ai shënoi në minutat 45+2’, 56’ dhe 79’, ndërsa Lorik Dobratiqi kontribuoi me një gol në minutën e 79-të. Malisheva mbeti me dhjetë lojtarë në fushë nga minuta e 54-t, pasi Donart Vitija u ndëshkua me karton të kuq.

Prishtina triumfon në Klinë
Edhe Prishtina, e udhëhequr nga Arsim Thaqi, e nisi me fitore sezonin. Bardhekaltrit triumfuan 3:2 në udhëtim ndaj Dukagjinit. Mario Ilievski (10’) dhe Blend Baftiu (26’) i dhanë epërsi prej dy golash prishtinasve pas pjesës së parë. Dukagjini reagoi fuqishëm në pjesën e dytë, duke barazuar në 2:2 me golat e Meris Maliqit (47’) dhe Egzon Sinanit (67’). Megjithatë, fjalën e fundit e pati Valmir Veliu, i cili në minutën e 82-të shënoi golin e fitores për Prishtinën.

Pa fitues në Skënderaj
Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj, Drenica dhe Llapi u ndanë pa fitues, duke barazuar 0:0. Për Drenicën ishte rikthim i suksesshëm në elitë pas dy edicionesh në Ligën e Parë, ndërsa Llapi synon një paraqitje më të mirë krahasuar me sezonin e kaluar, kur shpëtoi në barazh.

Superliga e Kosovës nisi kësisoj me befasi dhe ndeshje të zjarrta, duke paralajmëruar një edicion të gjatë dhe të fortë garues. Ndeshja e fundit e javës së parë zhvillohet të hënën ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *