Spanja mposht Francën dhe siguron finalen e Botërorit 2026
Spanja është finalistja e parë e Kupës së Botës 2026, pasi në gjysmëfinalen e zhvilluar në “Dallas Stadium” në Arlington mposhti Francën me rezultat 2:0.
“Furia e Kuqe” zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke dominuar ndaj francezëve dhe duke siguruar me meritë biletën për finalen e madhe, ku do të përballet me fituesin e duelit Angli – Argjentinë.
Skuadra e Luis de la Fuente kaloi në epërsi në minutën e 22-të. Lamine Yamal fitoi penallti pas një ndërhyrjeje të Lucas Digne, ndërsa nga pika e bardhë i saktë u tregua Mikel Oyarzabal, i cili mposhti portierin Mike Maignan për 1:0.
Spanja vazhdoi të kontrollonte ritmin e lojës dhe në minutën e 58-të dyfishoi epërsinë. Pedro Porro realizoi një aksion të bukur me Dani Olmon, duke finalizuar me një goditje të saktë në këndin e poshtëm për 2:0.
Franca u përpoq të rikthehej në lojë me aktivizimin e Désiré Doué dhe Rayan Cherkit, por mbrojtja spanjolle ishte e pakalueshme. Portieri Unai Simón reagoi me siguri në disa raste, ndërsa Marc Cucurella ndali në momentin vendimtar Kylian Mbappén.
Pas vërshëllimës së fundit, futbollistët spanjollë festuan kualifikimin në finalen e dytë të tyre në histori, pas suksesit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut, kur fituan titullin e vetëm botëror.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, lavdëroi skuadrën e tij pas ndeshjes.
“Prej gati katër vitesh kemi qenë besnikë ndaj idesë sonë të lojës dhe kjo na ka sjellë deri këtu. Sot përballë kishim një nga kombëtaret më të mira në botë, por ata u përballën me ekipin më të mirë në botë. Këta lojtarë e meritojnë gjithçka.”
Ndërkohë, realizuesi i golit të dytë, Pedro Porro, e cilësoi kualifikimin si momentin më të madh të karrierës së tij.
“Është një ëndërr e bërë realitet. Luajtëm një ndeshje fantastike ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Ky është sukses i gjithë ekipit.”
Franca tani do të luajë ndeshjen për vendin e tretë, ndërsa Spanja do të kërkojë të fitojë titullin e dytë kampion bote në finalen e së dielës.
