Spalletti rrëfehet: Futbolli ma shkatërroi jetën
Luciano Spalletti, i cili deri vonë ishte trajner i kombëtares së Italisë, ka folur hapur për periudhën e vështirë që po kalon, duke rrëfyer ndikimin e thellë emocional që ka pasur futbolli në jetën e tij.Italia e nisi keq fushatën kualifikuese për Kupën e Botës, duke pësuar humbje të thellë 3:0 nga Norvegjia. Kjo disfatë çoi në ndarjen e Federatës së Futbollit të Italisë me Spallettin, ndarje që ai e ka përjetuar rëndë.
“Futbolli ma shkatërroi jetën. E dua më shumë se veten dhe kam sakrifikuar njerëz shumë të dashur për të. Nuk mund ta kaloj dot. Ajo ndeshje më mban ende zgjuar natën. Ka ndikuar shumë tek unë, sepse mendimet më kthehen vazhdimisht tek ajo. Edhe kur ndihem i lumtur, kujtesa e asaj ndeshjeje më zbeh menjëherë çdo ndjenjë pozitive. Dhembja më e madhe është që nuk arrita t’i bind lojtarët e mi se i doja vërtet”, tha Spalletti. Trajneri italian e pranon se ka bërë gabime në qasjen e tij, sidomos në fillim të aventurës me Italinë.
“Gabova kur insistova në ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit. U kërkova lojtarëve të këndonin himnin para çdo ndeshjeje dhe të bënin një thirrje motivuese përpara çdo seance stërvitore. Doja t’u transmetoja krenarinë që ndieja, por mbase ishte shumë”.
Spalletti, që e udhëhoqi Napolin drejt titullit të parë kampion pas më shumë se tri dekadash, nuk e fsheh as zhgënjimin nga mënyra se si përfundoi bashkëpunimi me presidentin e klubit, Aurelio De Laurentiis.
“Në njëfarë mënyre, unë e ndihmova De Laurentiisin të kuptonte se për të pasur sukses, duhej të punësonte një trajner të mirëfilltë, dhe jo thjesht të mbështetej tek ai vetë. Por fyerja më e madhe që kam ndier ka qenë kur nuk më lejuan të bëja një paradë kampionati në rrugët e Napolit. Do ta kem përherë një peng. Më dhemb akoma më shumë kur pashë pamjet e festimeve për titullin që fituan sezonin tjetër. U kërkova disa prej lojtarëve të më dërgonin video, vetëm që të mund të ndieja sadopak atmosferën nga autobusi i kampionëve”.
Spalletti mbetet një nga trajnerët më të njohur italianë, por rrëfimi i tij dëshmon se edhe suksesi i madh në fushën e lojës nuk e zbut dhimbjen personale që e ka shoqëruar në këtë rrugëtim.
