Shqipëria ndalet në Riga, humb terren në garën për Botërorin 2026

Shqipëria ka dominuar në lojë, por mungesa e efikasitetit në sulm e penalizoi në ndeshjen ndaj Letonisë, e cila përfundoi me rezultat 1:1 të martën mbrëma në Riga.
Ky barazim është më shumë një hap prapa sesa një pikë e fituar. Kuqezinjtë kishin projektuar tri pikë nga kjo përballje, me synimin për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e dytë në grup që dërgon në plejof për Kupën e Botës 2026. Por tani, Shqipëria mbetet prapa Serbisë, e cila në të njëjtën mbrëmje nuk lejoi befasi duke fituar bindshëm 3:0 ndaj Andorrës.
Goli i vetëm për Shqipërinë erdhi në minutën e 29-të. Pas një krosimi të Arbër Hoxhës, presioni i Rey Manajt shkaktoi paqartësi në mbrojtjen letoneze, ndërsa kapiteni Antonijs Çernomordijs devijoi topin në rrjetën e tij, duke realizuar autogol.
Më herët, në minutën e 21-të, Thomas Strakosha priti një penallti të Janis Ikaunieks, duke mbajtur Shqipërinë në lojë pas një faulli të pakujdesshëm të Marash Kumbullës.
Kur gjithçka po shkonte drejt përfundimit të pjesës së parë me epërsinë shqiptare, Çernomordijs u përkujdes të rikuperojë gabimin e parë duke realizuar – këtë herë në portën e duhur. Pas një ndërprerjeje, ai fitoi një duel ajror me Ivan Balliun dhe barazoi shifrat në 1:1.
Në pjesën e dytë, Shqipëria e mbajti kontrollin e topit dhe kërkoi golin e fitores, por pa arritur të krijojë rrezik të madh. Edhe aktivizimi i lojtarëve ofensivë si Ernest Muçi, Nedim Bajrami, Mirlind Daku dhe Myrto Uzuni nuk solli ndryshim në rezultat.
Një mundësi e humbur për Shqipërinë, që tani duhet të kërkojë pikët e humbura në sfida më të vështira për të mbetur në garë për Botërorin 2026.