Portieri Butrint Bulliqi largohet nga FC Prizreni
Portieri i spikatur, Butrint Bulliqi, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk do të jetë më pjesë e klubit FC Prizreni, me të cilin e përmbylli sezonin 2024/25 duke kontribuar në inkuadrimin në Ligën e Parë.
Bulliqi kishte kaluar një periudhë të vështirë për shkak të një lëndimi që e mbajti jashtë fushës për disa muaj, por pas rikthimit arriti të ndihmojë skuadrën drejt objektivit madhor – promovimit në Ligën e Parë.
“Pas një lëndimi që më la jashtë fushës për disa muaj, arrita të rikthehem dhe t’i ndihmoj klubit në inkuadrimin në Ligën e Parë. Klubin e falënderoj për bashkëpunimin dhe i uroj shumë suksese në të ardhmen”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.
Butrint Bulliqi është një prej portierëve të rinj dhe të talentuar të futbollit kosovar, i cili ka qenë pjesë e disa klubeve. Para se të transferohej te FC Prizreni, ai ka mbrojtur ngjyrat e: KF Istogu, KF Prishtina, KF Flamurtari dhe KF Phoenixi.
Me eksperiencë të grumbulluar në këto klube, Bulliqi konsiderohet një portier me potencial dhe pritet që shumë shpejt të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij. Ai ka paralajmëruar se për të ardhmen e tij do të njoftojë në ditët në vijim.
