April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 18, 2026

Shpëtim Babaj emërohet drejtor sportiv i FC Prishtina e Re

FC Prishtina e Re ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Shpëtim Babajt në pozitën e drejtorit sportiv të klubit, duke nisur kështu një kapitull të ri në rrugëtimin e saj në elitën e futbollit kosovar.

Me një karrierë të pasur si futbollist në klube vendore dhe evropiane, Babaj vjen në këtë rol me përvojë të vlefshme dhe njohuri të thella mbi lojën, të cilat pritet të jenë vendimtare në ndërtimin e një skuadre të qëndrueshme dhe konkurruese, në përputhje me objektivat e klubit.

Pas prezantimit zyrtar, Babaj ka dhënë edhe prononcimin e tij të parë për faqen e klubit, ku theksoi ambiciet e qarta dhe projektin afatgjatë të FC Prishtina e Re:

“Jam bashkuar me një klub me ambicie të qarta dhe një strukturë të organizuar si KF Prishtina e Re. Objektivi ynë është të ndërtojmë një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në futbollin vendor. E dimë që kjo nuk është e lehtë, jemi në vitin tonë të parë në Superligë dhe na pret shumë punë përpara. Por, duke parë përkushtimin, organizimin dhe ambiciet që ekzistojnë brenda klubit, jam i bindur që do t’i arrijmë qëllimet tona”, theksoi ai.

Emërimi i Babajt konsiderohet si një hap strategjik nga drejtuesit e klubit, të cilët janë të vendosur të ndërtojnë një identitet të fortë dhe të garojnë denjësisht në Superligën e Kosovës.

FC Prishtina e Re po përgatitet për sezonin e saj të parë në rangun më të lartë të futbollit kosovar, dhe me një staf të konsoliduar dhe udhëheqje të qartë sportive, pritet të jetë një emër për t’u ndjekur gjatë këtij edicioni.

“Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për klubin tonë në futbollin elitar të vendit!”, thuhet në fund të komunikatës zyrtare të klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *