Ron Raçi: Ta lëmë pas humbjen në Pragë, synojmë fitore para tifozëve tanë
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjen e radhës miqësore, teksa atmosfera brenda grupit mbetet pozitive dhe me fokus të plotë drejt sfidës së ardhshme kundër Andorrës.
Pas seancës stërvitore, futbollisti Ron Raçi theksoi se “Dardanët” duhet ta lënë pas humbjen e fundit ndaj Çekisë dhe të përqendrohen maksimalisht në ndeshjen e radhës.
“Duhet ta lëmë pas humbjen dhe të fokusohemi te loja e ardhshme. Jemi duke punuar mjaft mirë me trajnerin dhe çdo stërvitje po zhvillohet me intensitet të mirë. Grupi është shumë i mirë dhe të gjithë po punojmë fort. Mendoj se do t’i qasemi ndryshe ndeshjes së ardhshme dhe do të hyjmë për fitore”, ka thënë Raçi.
Ai beson se përkrahja e tifozëve në shtëpi do të jetë motiv shtesë për ekipin, derisa synimi i vetëm mbetet paraqitja e mirë dhe rezultati pozitiv.
“Do të luajmë lojën tonë në shtëpi, pranë tifozëve tanë. Besoj se me paraqitje të mirë do t’i shpërblejmë edhe ata me fitore dhe do të dalim fitues”, shtoi ai.
Raçi foli edhe për ndjenjën e veçantë të të qenit pjesë e Kombëtares, duke theksuar se është i gatshëm të japë maksimumin sa herë që i jepet mundësia.
“Të jepet shansi të luash për Kombëtaren është ndjenjë shumë e mirë. Edhe rikthimi tani më motivon shumë. Sa herë që më jepet mundësia, do të mundohem ta jap maksimumin tim, ta tregoj veten dhe të jap 100 për qind. Shpresoj të luaj edhe në këtë ndeshje dhe të kem paraqitje sa më të mirë”, përfundoi Ron Raçi.
