Rabiot: Çdo gjë më pak se gjysmëfinalja e Botërorit do të ishte dështim
Adrien Rabiot ka dërguar një mesazh të qartë para Kupës së Botës 2026, duke theksuar se Franca synon vetëm fazat finale të turneut dhe se çdo rezultat nën gjysmëfinale do të konsiderohej zhgënjim.
Mesfushori i Milanit e renditi Francën mes favoritëve kryesorë për triumf, krahas Argjentinës dhe Spanjës, derisa vlerësoi potencialin e madh të “gjelave”.
“Kemi një ekip shumë të fortë dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për cilësitë tona, por pa arrogancë”, deklaroi Rabiot për FIFA-n.
Ai kujtoi paraqitjen ndaj Brazilit si shembull të mentalitetit që duhet ta ketë Franca në Botëror.
“Kur luajmë me atë vendosmëri dhe intensitet, mund t’i hapim probleme çdo kundërshtari. Në këto nivele, detajet bëjnë diferencën”, u shpreh francezi.
Franca bën pjesë në Grupin I së bashku me Senegalin, Irakun dhe Norvegjinë, ndërsa objektivi i ekipit të Didier Deschamps mbetet shumë ambicioz.
“Nuk do të fshihemi. Synimi ynë është të arrijmë të paktën në gjysmëfinale. Çdo gjë më pak do të ishte dështim”, theksoi ai.
Rabiot foli edhe për Kylian Mbappe, të cilin e cilësoi si figurë kyçe të Francës.
“Ai është pjekur shumë që kur e takova te PSG në vitin 2017. Ajo që bën në fushë është e jashtëzakonshme”, përfundoi mesfushori i Milanit.
