Prishtina dhe Prishtina e Re ndajnë pikët në “Fadil Vokrri”
Dy skuadrat e kryeqytetit u përballën të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll, por ndeshja përfundoi pa fitues. Prishtina dhe Prishtina e Re barazuan 1:1, duke marrë nga një pikë nga ky duel.
Për Prishtinën ky ishte një hap fals në garën për titull, ndërsa për Prishtinën e Re një pikë e rëndësishme në luftën për mbijetesë.
Skuadra e Prishtinës kaloi në epërsi në minutën e 37-të, kur Mario Ilievski realizoi për 1:0. Goli u pranua pas rishikimit të situatës në VAR nga gjyqtari Egzon Dakaj. Ilievski përfitoi nga një aksion ku Blend Baftiu dha asistimin, pasi shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes kundërshtare.
Prishtina e Re reagoi në pjesën e dytë dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 73-të me golin e sulmuesit Astrit Berisha, duke siguruar një pikë të vlefshme.
Pas këtij barazimi, Prishtina vazhdon serinë pa fitore në katër ndeshjet e fundit, me dy barazime dhe dy humbje. Në anën tjetër, Prishtina e Re ka dy barazime dhe një disfatë në tri ndeshjet e fundit.
Në tabelë, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 38 pikë, ndërsa Prishtina e Re vazhdon në fund të renditjes me 23 pikë.
