“Play-Off”-i Nacional: FC 2 Korriku dhe SHF Kurda shpallen kampionë në kategoritë U15 dhe U13
Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali sot e karakterizuan dy finale emocionuese në kuadër të garave të “Play-Off”-it Nacional për grupmoshat U13 dhe U15. Në finalen e kategorisë U15, FC 2 Korriku përballë KF Top Football arriti të sigurojë një tjetër titull kampioni në nivel nacional. Me këtë sukses, skuadra nga kryeqyteti e mbrojti me sukses titullin e fituar në edicionin e kaluar, duke triumfuar për të tretin vit me radhë në këtë kategori.
Ndërkohë, në finalen për grupmoshën U13, SHF Kurda zhvilloi një ndeshje tejet të fortë ndaj KF Ramiz Sadikut. Pas barazimit 2:2 në kohën e rregullt, fituesi u përcaktua përmes penalltive, ku futbollistët e SHF Kurda ishin më të saktë dhe fituan me rezultat 7-6, duke u kurorëzuar kampion i Kosovës në këtë kategori. Medaljet dhe trofetë për ekipet finaliste i ndanë kryetari i LRFP-së dhe njëherësh anëtar i KE të FFK-së, Ismajl Ajeti me bashkëpunëtorët e tij në LRFP, Bajram Krasniqi dhe Burim Murseli.
Garat e “Play-Off”-it Nacional do të përmbyllen me ndeshjet e fazës finale të grupmoshës U17.

