Ndahet nga jeta Nazmi Kelmendi, ish-anëtari i kryesisë së FFK-së dhe deputet i Deklaratës së 2 Korrikut
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-anëtarit të Kryesisë së FFK-së dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Nazmi Kelmendi.
Në mesazhin e tij, Ademi ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Nazmi Kelmendit si në fushën e sportit, ashtu edhe në shërbim të shtetit dhe shoqërisë.
“Nazmi Kelmendi ishte një prej figurave më të përkushtuara dhe të respektuara të futbollit kosovar, që për më shumë vjet dha kontribut të pashoq në zhvillimin e sportit tonë. Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së FFK-së në dy mandate (2000-2004 dhe 2004-2006), por edhe si arkatar i Federatës, ai u dallua për ndershmëri, profesionalizëm dhe dashuri të pakushtëzuar për futbollin dhe komunitetin sportiv”, thuhet në mesazhin ngushëllues të presidentit Ademi.
Ai po ashtu ka theksuar rolin e Nazmi Kelmendit në afirmimin e KF Fushë Kosova dhe në promovimin e vlerave sportive.
Përveç angazhimit në sport, Ademi ka përkujtuar edhe rolin historik të Kelmendit në proceset më të rëndësishme të shtetformimit të Kosovës, duke përmendur pjesëmarrjen e tij në miratimin e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe nënshkrimin e Kushtetutës së Kaçanikut.
“Kontributi i tij për vendin shtrihet përtej fushës sportive. Si një qytetar i përkushtuar ndaj lirisë dhe pavarësisë së vendit, Nazmi Kelmendi ishte pjesë aktive e proceseve jetike për shtetndërtimin e Kosovës, ku si deputet i Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, së bashku me kolegët e tij, përkundër rrethimit të hekurt të forcave policore serbe, me guxim e vendosmëri votuan për miratimin e Deklaratës Kushtetuese, e cila e përcaktoi statusin e Kosovës si republikë, si dhe ishte nënshkrues i Kushtetutës së Kaçanikut, më 7 shtator të vitit 1990”, theksoi Ademi.
Në fund të mesazhit, presidenti i FFK-së ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kelmendi, duke nderuar jetën dhe veprën e Nazmi Kelmendit si një njeri të urtë, atdhetar dhe qytetar të devotshëm.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Nazmi Kelmendin dhe veprën e tij jetësore”, përfundon mesazhi i presidentit të FFK-së.
