Pefqeli pas çmimit “Ylli i Javës”: Fitoren dhe golin ia dedikoj babait tim të ndjerë
Mërgim Pefqeli është shpallur “Ylli i Javës” në Albi Mall Superligë për xhiron e dytë, pas paraqitjes së shkëlqyer në fitoren e Dukagjinit kundër Gjilanit (2:0), ku ai shënoi një nga golat vendimtarë.
Pas marrjes së çmimit, mesfushori i klinasve shprehu emocionet e tij, duke theksuar se ky sukses është rezultat i punës së përbashkët me ekipin dhe stafin teknik.
“Falënderoj stafin e klubit që u angazhuan gjatë gjithë javës me taktikat dhe përgatitjen e lojës për ta mundur Gjilanin. Gjithçka që kemi punuar gjatë javës ishte shumë efektive në ndeshje dhe kjo ka qenë pika kryesore në fitoren ndaj Gjilanit”, u shpreh Pefqeli.
Ai foli edhe për përforcimet që i janë bashkuar skuadrës gjatë verës, duke përmendur Merisin dhe Zulfijun, të cilët sipas tij e kanë bërë ekipin më të fortë e më kompakt për një kampionat të gjatë dhe të vështirë.
Në fund, Pefqeli dha një dedikim prekës për golin dhe çmimin e fituar:
“Falënderoj të gjithë bashkëlojtarët dhe stafin teknik që më ndihmuan të shënoj gol. Këtë gol, fitoren dhe çmimin ‘Ylli i Javës’ ia dedikoj babit tim të ndjerë, i cili kishte ditëlindjen”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
