Ndahet nga jeta ish-gjyqtari i shquar, Feriz Parllaku, kreu i FFK-së ngushëllon familjen e tij
Sporti kosovar është goditur nga një humbje e madhe. Ka ndërruar jetë ish-gjyqtari i shquar dhe bashkëpunëtori shumëvjeçar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Feriz Parllaku.
Parllaku ishte pjesë e gjeneratës së punëtorëve të palodhshëm në periudhën e rezistencës, duke qenë një gjyqtar i guximshëm dhe i veçantë. Përveç drejtësisë në fushën e futbollit, ai dha një kontribut të çmuar edhe në hendboll, sidomos në vitet më të rënda e më krenare, kur sporti ishte formë e rezistencës kundër pushtuesit serb.
Në telegramin e tij, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Parllakut, duke e cilësuar atë si një figurë të pazëvendësueshme për futbollin kosovar.
“Me vdekjen e Feriz Parllakut, Kosova humbi një nga gjyqtarët më të mirë në historinë e saj, por puna, sakrifica dhe përkushtimi i tij ndaj futbollit do të mbeten përgjithmonë frymëzim për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Ademi.
Ai tutje ka theksuar se Parllaku kujtohet si njeri i përkushtuar, i cili nuk u ndal asnjëherë, pavarësisht kërcënimeve dhe rrezikut të përditshëm në kohën e okupimit, duke dëshmuar profesionalizëm dhe trimëri të jashtëzakonshme.
Ademi i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Parllaku dhe gjithë komunitetin sportiv.
