Nis kursi i ri për Licencën UEFA B për trajnerë
Federata e Futbollit e Kosovës, përmes Departamentit të Edukimit e ka nisur kursin e ri për Licencën UEFA B për trajnerë, me gjithsej 24 pjesëmarrës, ndër ta edhe dy vajza, duke dëshmuar interesimin në rritje dhe përfshirjen gjithnjë e më të madhe të vajzave në procesin e edukimit të trajnerëve.
Ky është kursi i trembëdhjetë me radhë në kuadër të programit të edukimit, gjë e cila paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin profesional të trajnerëve në vendin tonë.
Departamenti i Edukimit njëherësh është duke vazhduar me punën e pandalshme edhe në kurset e licencave tjera. Në vazhdim pritet të organizohen edhe edukimet specifike si UEFA Goalkeeper B Licence dhe UEFA Fitness B Licence, ndërsa shumë shpejt do të fillojë edhe kursi për UEFA Pro Licence, që është një arritje e madhe e FFK-së, e cila brenda një cikli të shkurtër e ka fituar besimin e UEFA-s për organizimin e kurseve dhe dhënien e licencës UEFA Pro. Federata e Futbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar në ngritjen e standardeve të trajnerëve dhe në zhvillimin e mëtejmë të futbollit në vend, përmes edukimit të strukturuar dhe profesional në çdo nivel.
