Ndeshja me Anglinë mund të jetë e fundit e Deschamps

Sa më shumë Franca të bëjë rrugë në Katar, aq më shumë Didie Deshamp “largon” hijen e Zinedin Zidanit. Zërat, që shohin ishtrajnerin e Realit të Madridit të bëhet tekniku i ardhshëm i “Blues” në fund të Botërorit, po bëhen gjithnjë e më të fortë.

Ish-fantazisti ka refuzuar oferta të ndryshme, një prej të cilave të PSG-së, vetëm për të marrë drejtimin e stolit të kampionëve të botës.

Por një gjë e tillë pritet të ndodhë vetëm në rast se Franca do të eliminohet në çerekfinale nga Anglia, përndryshe nëse “Gjelat” do të kualifikohen të paktën në gjysmëfinale, atëherë fjalën e fundit do ta thotë vetë Deshamp, i cili do të vendosë nëse do të rinovojë kontratën apo jo.

Dhe nëse qëndron, Zidanit do t’i shtyhej ëndrra. Tani e sigurt është se kontrata e Deshampit me Federatën Franceze të Futbollit skadon në fund të Botërorit dhe askush nuk është shprehur për një rinovim të mundshëm.

“Me trajnerin kemi rënë dakord që të takohemi menjëherë pas Botërorit”, tha presidenti i FFF-së Noel Lë Gre.

“Nëse do të mbërrijmë në gjysmëfinale, do ta ketë ai në dorë zgjedhjen për të qëndruar. Nëse do të ndihet i motivuar për të vazhduar nuk do të diskutohet aspak, sepse do ta ketë merituar. Nëse nuk mbërrijmë në 4 skuadrat më të mira, duhet të flasim”, tha Lë Gre. Por Botërori i kombëtares mund të prishë planet e Zizusë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *