Messi mbetet futbollisti më i paguar në MLS – ja sa fitojnë yjet e tjerë të ligës
Shoqata e Lojtarëve të Major League Soccer (MLSPA) ka publikuar listën zyrtare të pagave për të gjithë futbollistët me kontrata të vlefshme deri në maj 2025. Ashtu siç pritej, Lionel Messi e kryeson bindshëm këtë listë, duke u renditur si lojtari më i paguar në ligën elitare amerikane për të dytin vit radhazi.
Kapiteni i Argjentinës dhe sulmuesi i Inter Miamit, në moshën 38-vjeçare, ka një pagë bazë prej 12 milionë dollarësh, ndërsa kompensimi total i garantuar arrin në 20.45 milionë dollarë. Kjo shifër përfshin përfitime shtesë si bonuse të kontratës, pagesa të vonshme apo stimuj të tjerë financiarë.
Në vendin e dytë renditet italiani Lorenzo Insigne (Toronto FC), me një kompensim total prej 15.4 milionë dollarësh në sezon, duke qenë i vetmi tjetër përveç Messit që kap shifrën mbi 10 milionë dollarë në MLS.
Top 10 lojtarët më të paguar në MLS:
Lionel Messi (Inter Miami) – 20.45 milionë $
Lorenzo Insigne (Toronto FC) – 15.4 milionë $
Sergio Busquets (Inter Miami) – 8.8 milionë $
Miguel Almirón (Atlanta United) – 7.9 milionë $
Hirving Lozano (San Diego FC) – 7.6 milionë $
Federico Bernardeschi (Toronto FC) – 6.3 milionë $
Emil Forsberg (New York Red Bulls) – 6.03 milionë $
Jordi Alba (Inter Miami) – 6 milionë $
Riqui Puig (LA Galaxy) – 5.8 milionë $
Jonathan Bamba (Chicago Fire) – 5.6 milionë $
Përveç ndikimit të tij të madh në fushë, Lionel Messi është bërë edhe një motor i fuqishëm marketingu për Inter Miamin dhe MLS-në në përgjithësi. Që nga ardhja e tij në SHBA, klubi ka përjetuar një rritje të ndjeshme në vlerën e tregut, shikueshmëri globale, si dhe në shitjen e fanellave dhe produkteve zyrtare.
